E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk është fjala për shtëpinë e demokratëve!

Mero Baze 2Nga Mero Baze

Partia Demokratike nuk ka probleme me selinë. Ka hapësira të bollshme aty ku është, bile ka qenë bosh për vite të tëra. Ajo ka aty 20 vite histori, ka themeluesin e saj të vrarë në oborr, ka historinë e opozitës dhe pushtetit, një traditë administrimi dhe një mundësi pa fund për tu zgjeruar nëse ka probleme me zyrat tani në opozitën e re.

Partia Demokratike po ashtu as ka pasur plan të lëvizë prej aty. Ka qenë dy herë në pushtet në atë godinë, dhe tetë vitet e fundit ka pasur gjithë mundësitë të kishte një plan për një godinë të re nëse i nevojitej. Përkundrazi, ata vetëm dy vjet më parë rinovuan atë godinë që dhe ashtu nuk shkelej nga askush. As nga njerëzit e partisë.

Pra, nuk bëhet fjalë as për ndonjë nevojë për një shtëpi të re të demokratëve, as ndonjë plan të tyre për një gjë të tillë. Bëhet fjalë për një plan biznesi të njerëzve që çuan në opozitë Partinë Demokratike, Familja Berisha, Familja Nishani dhe Lulëzim Basha.

Vendimi i papritur i tyre nxjerr në pah faktin se ata paskan qenë të papërgatitur për humbjen dhe katastrofa e 23 qershorit i ka bërë të nxitojnë të sigurojnë të ardhmen e tyre financiare dhe jo Partinë Demokratike. Vendimi i jashtëligjshëm për të marrë si seli Shtëpinë Qendrore të Oficerëve, për ti hapur rrugë tek selia ekzistuese e Partisë Demokratike kthimit të pronës së familjarëve të Bujar Nishanit dhe njerëzve afër Berishës dhe Bashës, nuk është një akt që ka të bëjë me shtëpinë e re të demokratëve, por planin e biznesit të tre kleptokratëve, të cilët po nxitojnë të zhvatin çfarë munden në orët e fundit të pushtetit.

Por kjo histori nuk duhet të mbyllet me anulimin e vendimit. Kjo histori tregon më shumë se kaq. Kjo histori na vë para faktit të kryer se Presidenti i Republikës është një njeri i kapur nga interesa biznesi dhe po përdor postin e lartë të Presidentit të Republikës për të krijuar hapësirë biznesi për pronat, nga e cila përfiton gruaja e tij. Është aq i kapur në këto interesa, sa ai po shkel me vetëdije dhe ligjin mbi kompetencat që ai ka mbi planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura, si dhe po e bën gjithë këtë operacion duke mbështetur një procedurë qartazi të stisur mes Partisë Demokratike dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Pra, kemi një president, i cili e shikon që gjithë korrespodenca është bërë për dy ditë pasi është marrë vendimi në qeveri, e shikon që nuk firmos Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, e shikon që gjithçka po bëhet jo transparente dhe në funksion të një interesi konkret biznesi dhe vepron me vetëdije.

Nuk ka arsye më të fortë se sa kaq, që Bujar Nishani të hetohet nga një komision parlamentar dhe të propozohet shkarkimi i tij për kapje nga interesa biznesi që bien në kundërshtim me postin e tij të lartë si President i Republikës dhe Komandant i Forcave të Armatosura. Ai do të hyjë në historinë e këtij vendi si Komandanti i Përgjithshëm që ka shpronësuar ushtrinë për të pronësuar familjen e gruas së tij diku tjetër dhe që ka përdorur postin e Presidentit jo vetëm për tu vënë në shërbim tërësisht politik ndaj një klani uzurpues në krye të Partisë Demokratike, por dhe për të vënë veton ndaj refuzimeve të ligjshme që i kanë bërë ushtarakët e karrierës këtij procesi.

Pra, kemi një president që ka firmosur për interesa të tij financiare, në kundërshtim me ligjin dhe që ka mbështetur një procedurë antiligjore dhe jotransparente. Pra, thjesht kemi një president të kapur në konflikt të pastër interesi financiar dhe politik në kundërshtim me statusin e postit të lartë që mban. Një president, të cilit i kemi besuar Shqipërinë, por që për interesa të tij shet dhe pronat e ushtrisë.

Qeveria e re nuk duhet të hezitojë aspak jo vetëm të anulojë vendimin, por të hetojë lidhjet korruptive të treshes Nishani, Berisha, Basha në këtë histori. Kryeministri i ri të bllokojë planin rregullues të Tiranës dhe tu ofrojë demokratëve leje ndërtimi nëse ata kanë nevojë tek selia ekzistuese, ku kanë historinë e tyre dhe shtëpinë e tyre të përbashkët. Ata që ua shitën pushtetin për fëmijët, kunetërit dhe baxhanakët, tani po u shesin dhe historinë dhe memorien e partisë, për interesa të grave, kunetërve dhe djemve që duan të bëhen milionerë dhe në opozitë, ndërkohë që mijëra demokratë do të ndjehen të braktisur dhe të papunë.

Kjo nuk është çështje e shtëpisë së demokratëve, por një plan biznesi i kleptokratëve që kanë zaptuar Partinë Demokratike. Më shumë se kushdo tjetër selinë aktuale të PD-së duhet ta mbrojnë demokratët, ata që kanë lidhur jetën dhe emocionet e tyre politike me atë seli për 20 vite dhe jo ata që kanë ardhur me lugë në brez në vitin 2005, për tu bërë milionerë me idealet e tyre.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›