Remitancat, burim jetësor financimi
Nga Kristal Hykaj
Tremujorin e parë të vitit, të ardhurat nga emigrantët kanë pësuar rënien më të madhe që nga kriza e vitit 2008. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë prurjet valutore nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit arritën në 116 milionë euro, nga 167 milionë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 30% më pak.
Banka e Shqipërisë vë në dukje se zonat ku remitancat kanë rënë më shumë janë ato, qytetarët e të cilave kanë emigruar në vendet që sot vuajnë më shumë krizën. Kështu, Shqipëria e Mesme dhe e Jugut, ku mbizotëron emigracioni në Itali dhe Greqi, po vuajnë më shumë rënien e remitancave. Ndryshe ndodh me ato zona të Shqipërisë si qarku i Kukësit, ku përfshihet Hasi dhe Tropoja, me nivel të lartë emigracioni në Britani, vend me ekonomi më të shëndetshme se Italia e Greqia.
Një faktor tjetër që justifikon këtë rënie: Vitin që shkoi shumë emigrantë që jetonin në Greqi u zhvendosën në atdhe, duke sjellë me vete edhe një pjesë të kursimeve të tyre. Ky në fakt ishte edhe shkaku pse vitin që shkoi, rënia e prurjeve të emigrantëve ishte pothuajse e papërfillshme. Por këtë vit, të paktën si tremujor, treguesi ka shënuar një rënie të thellë.
Por nga ana tjetër, asnjë ent qeveritar nuk di të thotë sa janë të kthyerit nga emigracioni. Janë vërtet aq të shumtë në numër sa të ndikojnë kaq fort në rënien e prurjeve në valutë. Pasi, e parë nga emigracioni, rënia mund të shihet, të paktën pjesërisht, edhe si pasojë e ngulitjes së emigrantëve në vendet ku kanë shkuar, dhe ku kanë tërhequr ndërkohë familjarët e tyre apo kanë ngritur aty familje e dërgojnë gjithnjë e më pak në atdhe.
Lidhur me transfertat e parave në drejtim të Shqipërisë, më të mëdhatë për hyrjet valutore në vend janë nga Greqia dhe Italia. Emigrantët shqiptarë në Greqi kanë dërguar përsëri në Shqipëri rreth 310 milion , 47 përqind e numrit të përgjithshëm të remitancave, duke e bërë Greqinë dërguesin e parë të remitancave në vend. Italia ndjek me 248 milion . (Burimi:INSTAT).
Nga çasti që u konstatua se remitancat e emigrantëve janë burimi kryesor i valutës për Shqipërinë, duhej që qeveritë shqiptare të konsideronin si prioritete dy gjëra: Të tërhiqnin sa më shumë remitanca, dhe e dyta e më kryesorja, ti shfrytëzojnë ato, ti vejë në eficencë.
Gjithashtu duhet përpjekje që emigrantët të orientohen drejt investimeve të vogla apo të mëdha brenda në Shqipëri. Ajo që bëhet, është se ndiqet praktika e zakonshme, që kushdo që çon para në Shqipëri, është se rinovon banesën e vet apo ndërton një të re. Domethënë ka vetëm një sektor, ai i ndërtimit të banesave që thith pjesën më të madhe të remitancave. Kjo nuk është domosdoshmërisht e keqe, por do të ishte shumë më mirë, nëse përveç banesave të kishte para që shkonin për investime në bujqësi, në industri, në gjithë sektorët, që mund të zhvilloheshin.
Pikërisht këtu qëndron dobësia, në vënien në eficencë të remitancave sepse qeveritë shqiptare duhej ta dinin se remitancat nuk do të vazhdonin përgjithmonë, në një moment ose do të kthehen emigrantët, ose do të qëndrojnë përgjithmonë në vendin ku emigruan, pra, remitancat herët a vonë do të arrinin në një nivel të ulët. Për sa kohë që remitancat vazhdojnë, duhen gjithsesi shfrytëzuar. Në të kundërt do të jetë një shans i humbur. Është një burim kolosal financimi dhe do të jetë shumë gjynah të humbasë. Dhe për fat të keq jemi dëshmitarë se kjo po bëhet.