Deri ku shkon papunësia?
Nga Ermir Xama
Shkalla e papunësisë është raporti midis numrit të të papunëve të regjistruar dhe numrit të popullsisë aktive për punë. Forca e punës përbën pjesën e popullatës e cila është në moshë për punë dhe është në kërkim të vazhdueshëm për punë. Papunësia është një fenomen që ka prekur të gjithë shoqërinë, kryesisht të rinjtë. Studimet flasin se 1 në 4 të rinj është i papunë. Nuk është e vërtetë shprehja, “të rinjtë e sotëm nuk punojnë”. Do të ishtë me vend shprehja “të rinjtë e sotëm nuk kanë ku të punojnë”. Papunësia është e lidhur me dy faktorë të rëndësishëm, politikën dhe ekonominë. Një ndërthurje e mirë e këtyre të dyjave do të sillte një përmirësim të papunësisë.
Ndërhyrja politike ka një strategji të tillë që duke i futur të gjithë të rinjtë në Universitete të krijohet përshtypja se numri i të papunëve nuk është aq sa është në të vërtetë. Duke diplomuar një “armatë” studentësh që nuk dinë ku do të shkojnë. Këtu hidhet ideja e një arsimi profesional, zanat. Zanati është një mënyre e mirë arsimimi për të ulur papunësinë. Politika shqiptare në parim flet për uljen e papunësisë nëpërmjet zanateve dhe shumë mirë bën, por nuk duhet të ngelet me kaq. Të jesh i papunë është diçka e pavullnetshme, por pasojat që ajo sjell për shoqërinë janë të vullnetshme. Të rinjtë janë më të prekurit nga papunësia dhe për këdo që merr përsipër të ulë papunësinë kryesisht te të rinjtë është një sfidë.
Nga ana tjetër, numri i madh i të papunëve reflekton negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit. Përveç kësaj papunësia në masë çon dëm edhe investimet në arsim dhe formim. Arsimi i duhur i kombinuar me reformat për punësim do të ndryshojë situatën dhe nivelin e papunësisë. Një rol të rëndësishëm në uljen e numrit të të papunëve luajnë dhe bashkëveprimi i institucioneve qeveritare me ato të tregut të punës, organizatat punëdhënëse, ato punëmarrëse dhe shoqëritë civile. Pra papunësia shkon deri aty sa e lejon politika. Kur politika nuk merr masa, papunësia nuk di të ndalet, duke sjellë dëme në ekonomi, por edhe në shoqëri. Pasojat e papunësisë tregohen qartë edhe në krimet që ndodhin në familje, ku shkaku kryesor është niveli jo i mirë i jetesës.
Mazhoranca e re qeverisëse e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit ka bërë premtimin se do të ulë papunësinë duke hapur 300 mijë vende pune. Përveç kësaj qeveria e ardhshme socialiste ka ndërmarrë një nismë ku i ka ftuar të gjithë të dërgojnë CV në adresën e kryeministrit të zgjedhur. Madje vetë Edi Rama ka hapur një konkurs për zyrën e deputetit në Vlorë. Por çfarë do të thotë kjo?! Rama ose po përpiqet që të mbajë premtimet e dhëna për hapjen e vendeve të punës, ose kjo është pjesë formale për të qetësuar popullin dhe për të treguar se po bën diçka për punësimin. Vështirësia për të eliminuar këtë fenomen është e madhe dhe të gjithë e dinë se papunësia është sfida kryesore për qeverinë e re.