E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk është vonë që shqiptarët t’i thërrasin mendjes

Pas pavarësisë, Kosova po lëkundet si një anije në det të hapur, jo se nuk ka busull, por ekipi i saj drejtues nuk di ta përdorë atë.

Serbia e diskriminoi për njëqind vjet me radhë Kosovën, por, me sa duket, edhe e ka ndihmuar që ajo të kapej identitetit të saj shqiptar më me fanatizëm, sepse në këta muaj të parë lirie Kosova po shfaqet e keqorientuar.

Në fillim të kësaj jave, qeveria e Kosovës çoi në Kuvend një projektligj për festat kombëtare, mes datave të propozuara nuk figuron si festë kombëtare Dita e Flamurit, 28 Nëntori. Justifikimi është pakoja e Ahtisaarit, por NATO dhe aleatët nuk e bënë luftën në Kosovë për ta shkombëtarizuar atë, përkundrazi.

Është e vërtetë se shqiptarët e Kosovës nuk duhet në asnjë mënyrë t’i diskriminojnë serbët, sepse nuk duhet t’iu bëjnë të tjerëve atë që iu bënë atyre serbët për njëqind vjet me radhë, por ama shqiptarët e Kosovës nuk duhet as të vetëdiskriminohen deri në ekstrem.

Çdo gjë e ka një kufi, vetëdiskriminimi pozitiv deri në mohim të identitetit, nga frika se mos lëndon një grup njerëzish me kombësi dhe identitet tjetër, është absurditet logjik dhe një strategji e rrezikshme politike.

Kosovarët nuk duhet të kenë frikë nga fakti i të qenit shqiptarë, as frikë se mos acarojnë serbët e Kosovës, në qoftë se ata festojnë festat e tyre kombëtare apo në qoftë se respektojnë simbolet e tyre. Ato janë dy komunitete që jetojnë në të njëjtin shtet, secili duke respektuar ligjet dhe identitetin e tyre. Krim nuk është, kur je krenar për atë që je, por kur nuk lë të tjerët të jetojnë të lirë së bashku me identitetin e tyre.

Politika gjenocidale e Sllobodan Millosheviçit synoi që ta pastronte Kosovën nga shqiptarët, por nuk ia doli mbanë, sepse hynë forcat ndërkombëtare të NATO-s. Atë që nuk e pësuan dot me dhunë nga të tjerët, shqiptarët e Kosovës nuk duhet t’ia bëjnë vetes në mënyrë paqësore. Me marrëveshje politike dhe ligje krijohen njësitë dhe sistemet administrative, jo kombet.

Me zhveshjen e Kosovës nga simbolet kombëtare, qeveria e Kosovës, ndoshta pa u kuptuar, po e zbraz Kosovën nga banorët e saj, sepse ata u diskriminuan për njëqind vjet, pse ishin shqiptarë dhe vetëm pse u kapën fort pas identitetit të tyre arritën që në fund të fitojnë pavarësisnë. Në qoftë se kosovarët do të kishin hequr dorë nga flamuri, gjuha dhe simbolet e tjera kombëtare të tyre më herët, Sllobodan Millosheviçi nuk do të ndërmerrte asnjë veprim gjenocidal ndaj tyre.

Tërthorazi, qeveria e Kosovës, duke mos e klasifikuar 28 Nëntorin si festë kombëtare dhe duke shmangur çdo simbol tjetër që do ta kenë të njëjtë me Shqipërinë në të ardhmen, nuk do të jenë duke krijuar një shtet apo një komb të ri, por do të zbatojnë platformën millosheviçiane.

Në Ballkan ekziston prej vitesh një luftë e fuqishme kundër identitetit shqiptar nga një pjesë e vetë shqiptarëve. Kulmi i kësaj lufte ishte fitorja e komunistëve në Shqipëri në vitin 1944. Ata rishkruan historinë, ribënë flamurin, zëvendësuan simbolet kombëtare, vranë figurat më të shquara të kohës dhe hoqën nga qarkullimi veprën më cilësore të mendimtarëve shqiptarë dhe në një moment të caktuar e konsideronin veten Republikë Jugosllave. Kësaj masakre kundër identitetit shqiptar iu pre hovi pas gjysmë shekulli, në vitin 1990, por ende nuk ka mbaruar, sepse pasardhësit e këtyre kriminelëve kanë ende shumë pushtet.

Shqiptarët e Shqipërisë festojnë 29 Nëntorin, ditën lindjes së “një bashkësie popujsh që kishin shprehur vullnetin e lirë të jetonin të bashkuar brenda Jugosllavisë”. Pra, ne po festojmë festën kombëtare të Jugosllavisë, kur vetë Jugosllavia nuk ekziston, ndërsa kosovarët nuk po luftojnë identitetin shqiptar të tyre njëlloj si Millosheviçi, kur ai ka vdekur- edhe fizikisht, edhe si realitet politik.

Asgjë nuk është rastësi. Këto veprime janë veprime të një trupi, të cilit i mungon sistemi i orientimit – truri, i cili është eleminuar sistematikisht në të dyja anët e kufirit, në Shqipëri nga komunistët, në Kosovë nga serbët.

Nuk është vonë që shqiptarët t’i thërrasin mendjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›