Nuk figuronte në arkiva, 70-vjeçari vërteton se i ati ishte i burgosur politik
Tiranë- Hektor Hoxha është 70 vjeç, jeton në kryeqytet dhe pas pesë viteve nëpër dyert e ministrive, burgjeve dhe gjykatave ja ka dalë mbanë të marrë një copë letër prej të cilës të vërtetohej se i ati i tij, ka qenë i dënuar politik për akuzën e gjykatës ushtarake të asaj kohe “Armik i Popullit”.
Shahin Hoxha i cili kur ka ndërrruar jetë, e ka lënë të birin 11 vjeç, ka qenë në burgjet e kominizmit sipas gjykatës së kryeqytetit në përfundim të hetimit gjyqësor të hapur për këtë çështje, në një kohë që as Ministria e Drejtësisë dhe as Drejtoria e Burgjeve nuk kanë mundur dot që ta gjejnë gjatë këtyre viteve emrin e të ndjerit në listat e tyre.
I ndjeri Shahin Hoxha sipas gjykatës ka qenë i burgosur politik si ‘Armik i Popullit” përgjatë viteve 1940-1950, ndërkohë që tre vjet pasi ai është liruar nga burgu ka ndërruar jetë. Në vitin 2007 Hektor Hoxha, referuar ligjit për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politike të rregjimit komunist, ka paraqitur kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë për të fituar dëmshpërblimin. Por Ministria e Drejtësisë i ka kthyer përgjigjje kërkuesit se babai i tij, nuk figuron fare në rregjistra dhe nuk provohet që i ndjeri të ketë qenë i burgosur.
Por 70-vjeçari tashmë në kërkim të të drejtës së tij i është drejtuar sërisht ministrisë dhe sërisht në prill të këtij viti ka marrë përgjigjjen se emri i Shahin Hoxhës nuk figuron në rregjistrat e saj. Të njëjtat përgjigjje ka marrë edhe nga Drejtoria e Burgjeve. Në këto kushte i moshuari i është drejtuar gjykatës, por togat e zeza përpara se të nisnin procesin ‘e zhdukjes ‘ së të dhënave, kanë nisur së pari një tjetër proces, në të cilin të vërtetohej se ish-i përndjekuri ka ndërruar jetë.
Në këtë mënyrë nga njëri proces në tjetrin, i biri Hektori ka siguruar një vërtetim nga zyra e gjendjes gjyqësore ku rezultonte se Shahin Hoxha ka qenë i dënuar me 10 vjet burgim sipas një vendimi me numër 196 i tetorit 1945 nga gjykata ushtarake për veprën penale “Armik i Popullit”.
Pas një vendimi faljeje ky dënim i ka zbritur në 5 vjet burg. Gjykata shprehet duke ju referuar vërtetimeve gjyqësore se 70-vjeçari ka të drejtë në padinë e tij dhe se babai i tij i ndjeri Shahin Hoxha ka qenë i burgosur për pesë vjet nga në 1940-1950.
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: