E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk flasin për pasuritë e Kosovës

Qeveria e Kosovës e quan listë dëshirash idenë e palës serbe që në bisedimet ndërmjet dy vendeve të bisedohet edhe për Trepçën, thëngjillin, liqenin e Ujmanit (Gazivodës), pronat publike, zonat përreth kishave ortodokse e deri te përfaqësimi i serbëve në organet qendrore të Kosovës.

Burime të Tribunës kanë bërë të ditur se Beogradi është i interesuar të bisedoj me Prishtinën në kuadër të vazhdimit të negociatave të Brukselit për këto tema, për të rritur “pazarin” në mënyrë që të përfitojë nga plani i zbatimit të marrëveshjes për kompetencat e asociacionit të komunave serbe në veri të vendit. Bekim Çollaku, këshilltar i lartë politik i kryeministrit Hashim Thaçi, ka thënë të dielën për Tribunën se idetë e Beogradit për të biseduar me palën kosovare për resurset natyrore të Kosovës janë të parealizuara.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka ndërmend dhe nuk do të pranojë asnjëherë që të bisedojë për listë të dëshirave të cilat i ka Qeveria e Serbisë, të cilat kanë të bëjnë me pasuritë shtetërore të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Çollaku. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›