E Martë, 3 Nëntor 2026

“Nuk gjente as një pjatë gjellë në shtëpi”, e afërmja e Aldorjana Loshit: Ishte e stresuar dhe pa mbështetje

Efektivja Aldorjana Loshi punonte prej një viti e gjysmë në komisariatin nr. 5 në Kamëz, kur dy javë më parë ajo i dha fund jetës.

21-vjeçarja u gjet e vrarë me armën e shërbimit në banesën e saj, e vetëvrarë sipas Policisë.

Në emisionin “Jetë shqiptare” në RTSH, e afërmja e viktimës rrëfeu ekskluzivisht pikëpyetjet e saj rreth ngjarjes.

“Kam pikëpyetje, duke e njohur si karakter dhe si familje. Mendoj se ajo e mori nga euforia që donte të ecte përpara, të bëhej dikushi, me apo pa stabilitet, pa përkrahje. Për futjen në Polici, e futën njerëzit e babait, por ajo ka kërkuar që të hynte aty. E ka deklaruar vetë, pavarësisht se nuk kanë qenë dakord, sepse është punë e vështirë. Ka pasur shumë trishtime në punë. Edhe në shtëpi nuk ka pasur as mbështetje, as dashuri,” rrëfeu e afërmja.

Ajo tregoi edhe nga marrëdhënia e 21-vjeçares me të ëmën.

“Më ka lënë të kuptoj që është ankuar shumë. Ziheshin, rriheshin, e kanë goditur disa herë. Sipas saj, ishte sjellë jo mirë. Asaj  nuk i pëlqente çfarë bënte nëna e vet, ndërsa nëna i thoshte ‘ti s’duhet të bësh kështu’,” tregoi ajo.

Sipas të afërmes, në standardin e jetesës të Aldorjanës viheshin re ndryshime me kalimin e kohës nga hyrja në Polici.

“Dukeshin fëmijë në nevojë, fëmijë pa shkollë, me punë të rëndomta, dhe papritmas u shfaq një jetë luksi. Nuk e di burimin e parave. Thuhet që ka zbuluar shumë gjëra ose mund të jetë shfrytëzuar, sepse në një jetë të tillë nuk mund të fitosh paga të tilla. Ajo u shpërfytyrua kohët e fundit, u dobësua, i ranë flokët, ishte shumë e irrituar dhe e trishtuar,” rrëfeu e afërmja.

“Jetë shqiptare” tentoi të kontaktojë edhe me nënën e Aldorjanës, por pa marrë një përgjigje. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›