Pogradeci gati për sezonin turistik, një sërë aktivitetesh kulturore, artistike e sportive

Këtë fundjavë Pogradeci do të çelë sezonin turistik veror. Kjo ditë festive do të shoqërohet me një program të pasur ku do të ndërthuren një sërë veprimtarish artistike, kulturore dhe sportive që pritet të sjellin një numër të madh vizitorësh në qytetin liqenor.
“Kjo ditë do të fillojë me fanfarën e Tiranës e cila do të performojë në rrugët e qytetit si një lajm i mirë për çeljen e këtij sezoni do të vazhdojë me programin asrtistik dhe kemi më pas panairin e kulinarisë, gara me varka dhe sporte të ndryshëm”, u shpreh Entela Gusho, Nënkryetare e Bashkisë Pogradec.
Pritshmëritë janë që numri i turistëve të dyfishohet krahasuar me vitin e kaluar.
“Kontaktet që kemi me hoteleritë e cila periudha korrik-gusht është pothuajse e pronotuar”, u shpreh Gusho.
Edhe këtë vit bashkia Pogradec do të zbatojë kalendarin me 100 ditë aktivitete që do të shoqërojnë sezonin veror. Ndryshe nga vitet e tjera operatorët turistikë në Pogradec, këtë sezon kanë nënshkruar kontrata bashkëpunimi me operatorët turistikë grekë të cilët pritet të sjellin më shumë se 10.000 turistë gjermanë në juglindje të vendit.
/RTSH/