E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk heqin barrikadat në Banjskë

Nga Express më 04 shtator 2011 në ora 10:29

Situata në Banjskë afër Zveçanit, ku serbët lokalë kanë vendosur mbrëmë barrikada, mbetet e pandryshuar.

Kryetari paralel i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, ka thënë se afër Banjskës mbretëron ‘status quo’ pasi që KFOR-i nuk dëshiron të tërhiqet nga pikëkontrolli i vendosur mbrëmë dhe të mundësojë qarkullimin e kamionëve që vijnë ilegalisht nga drejtimi i Novi Pazarit.

Ndërkaq, i ashtuquajturi kryeshef i qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, pas bisedimeve me përfaqësues të KFOR-it, ka thënë se qytetarët janë të vendosur të qëndrojnë në këtë vend duke protestuar qetë deri në realizimin e kërkesave të tyre, përkatësisht derisa ky pikëkontroll në fshatin Izvor afër Banjskës i vendosur mbrëmë nga ushtarët e KFOR-it të largohet menjëherë, si dhe pikat kufitare në veri të mos jenë të bllokuara.

Në anën tjetër, KFOR-i akoma mban të bllokuar një ndër rrugët alternative dhe kryesore të frekuentuara nga kontrabandistët dhe nuk lejon qarkullimin e asnjë automjeti në këtë drejtim, ndërkohë që ka shtuar prezencën e ushtarëve të vetë në këtë vend, duke sjellë ata me helikopterë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›