E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina do të ketë ujë më shumë në të ardhmen

Nga Express më 04 shtator 2011 në ora 12:35

Mbi gjysma e kryeqytetit të dielën ka mbetur pa ujë të pijshëm, për shkak të punimeve teknike që po zhvillohen në lagjen “Arbëria”, ku ndodhet gypi kryesor për furnizim me ujë në gjithë qytetin e Prishtinës.

Drejtues të ujësjellësit rajonal “Prishtina” thonë se pas ndërtimit të fabrikës së ujit në Shkabaj qytetarët e Prishtinës do të kenë furnizim 24 orë pa ndërprerë.

Kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina” të dielën ka nisur punimet për kyçjen e gypit të ri në lagjen “Arbëria”, i cili do të mundësojë një furnizim më të mirë me ujë të pijshëm në gjithë rajonin e Prishtinës.

Gjelosh Vata, drejtor i ujësjellësit rajonal “Prishtina”, ka thënë për Kosovapress se në të ardhmen pritet furnizim më i mirë i qytetarëve me ujë të pijshëm, sidomos pas ndërtimit të fabrikës së ujit në Shkabaj.

“Sot po bëhet kyçja e këtij e gypit të ri dhe shpresojmë që qytetarët e Prishtinës do të kenë ujë më shumë në të ardhmen. Shpresojmë që vitin e ardhshme do të fillojë me ndërtim fabrika e ujit në Shkabaj dhe brenda tri viteve mendojmë që Prishtina, Fushë Kosova, Kastrioti dhe Podujeva do të kenë ujë 24 ore pa ndërprerje”, ka thënë Gjelosh Vata, drejtor i ujësjellësit rajonal “Prishtina”.

Sipas Vatajt, kyçja e këtij gypi të ri është pjesë e projektit të fabrikës së re në fshatin Shkabaj, i cili do të kushtojë diku rreth dy milionë euro dhe është financuar nga Komisioni Evropian, ndërsa është duke u realizuar nga kompania “Hidroterm” Suharekë.

Për shkak të punimeve teknike që janë duke u zhvilluar në gypin e ri në lagjen “Arbëria”, qytetarët e disa lagjeve të Prishtinës për 24 orë do të mbeten pa ujë të pijshëm, si “Dardania”, “Lakërishta”, qendra e qytetit, gjysma e lagjes “Kalabria” dhe “Arbëria”. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›