E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Nuk i doja Murinjon dhe Ibrën"

Zhoze Murinjo dhe Zlatan Ibrahimoviç nuk kanë qenë për asnjë moment në "orbitën" e Realit të Madridit. Kjo konfirmohet nga drejtuesi më i lartë në "Santiago Bernabeu", Florentino Perez, që flet për të gjitha temat, duke filluar nga fakti që Ançeloti ishte pranë emërimit te "merengues", ëndrra "e vjetër" për të blerë Totin dhe Maldinin, si dhe spekulimet e merkatos. Biznesmeni i suksesshëm ka konfirmuar marrëdhëniet e mira me drejtuesit e Milanit, duke shprehur dëshirën të luajë në finalen e Champions-it kundër kuqezinjve. "Ançelotin e njoh nga afër dhe kam marrëdhënie të mira me të. Është e vërtetë që menduam ta afronim në krye të stolit të Realit, por periudha kohore nuk ishte e përshtatshme. Unë duhej të paraqitesha në zgjedhjet për president dhe të ndiqja procesin elektoral. Ai është një trajner i jashtëzakonshëm dhe do të bëjë një punë të mirë me Çelsin", deklaroi presidenti i Realit. Në anën tjetër, ai hodhi poshtë spekulimet e merkatos së verës, që flisnin për afrimet e Murinjos dhe Ibrahimoviç. "Përpara se të merrja drejtimin e skuadrës, publikoheshin lajme se në Madrid do të vinin të gjithë trajnerët dhe lojtarët e mundshëm në botë. Natyrisht që kjo ishte e pamundur të realizohej. Mund të them se Murinjo është një teknik i shkëlqyer, ndërsa Ibra një lojtar i madh", ishte përgjigjja diplomatike, por e "ftohtë". "Në fakt u përfol edhe për shumë emra të tjerë, dhjetëra e dhjetëra futbollistë të mrekullueshëm. Kjo konfirmon se Reali ka shije të mira kur bëhet fjalë për blerjen e futbollistëve". Perez nuk e ka fshehur faktin se në të kaluarën kërkoi të blinte dy prej ikonave të futbollit italian, Françesko Totin dhe Paolo Maldinin: "Toti më ka pëlqyer gjithmonë, por lojtarët si ai vështirë se largohen nga klubet e tyre. Edhe Maldini më ka pëlqyer gjithmonë, dëshiroja që ai të luante me Realin, por disa gjëra janë të pamundura për t‘u realizuar".

Drejtuesi "merengues" vlerësoi Milanin, kundërshtar në Grupin C të Ligës së Kampioneve. Ai pohoi se do t‘i pëlqente që në finalen e këtij edicioni të luante ndaj kuqezinjve, ndërsa foli edhe rreth blerjes së Kaka. "Jam i sigurt që si Reali, ashtu edhe Milani do të kualifikohen në fazën tjetër të Champions-it. Do të isha shumë i lumtur, nëse ata do të ishin përballë nesh në finalen e këtij viti në ‘Bernabeu‘. Kuqezinjtë janë skuadra që kanë fituar më shumë tituj në Europë dhe në nivelin ndërkombëtar. Unë jam si fëmijët, apasionohem pas skuadrave që kanë shumë trofe", shtoi ai. "Galianin e kam mik të afërt, e njoh prej dhjetë vjetësh. Kur e pyeta nëse mund të më shiste Kakanë, nuk ishte e vështirë të gjenim akordin financiar. Të dyja palët mbetën të kënaqura". Nuk kishte si të mungonte analiza për "modelin madrilen", me afrimin në skuadër të yjeve ndërkombëtare, ndërsa Perez ka provuar të sheshojë edhe polemikën me Platini për shpenzimet marramendëse. "Në momentin që klubi nuk zbatoi ‘modelin e Realit‘, humbëm vendin tonë në botë. Mungonin emrat e mëdhenj, ata që bënin tifozët të ëndërronin. Me blerjet e Kristiano Ronaldos dhe Kakasë, të cilët zëvendësuan Bekham dhe Zidan, i qëndruam besnik historisë tonë. ‘Shigjetimet‘ e Platinisë? Është e vërtetë që kemi shpenzuar shumë para, por ai asnjëherë nuk e ka kritikuar Realin. E cilësoj veten mik të presidentit të UEFA-s dhe e mbështes plotësisht idenë e tij që klubet nuk duhet të shpenzojmë më shumë fonde nga sa fitojnë", përfundoi Perez.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›