E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri, zyrtarët që mbeten pa makina e shoferë

Qeveria "në dietë" u heq luksin për t‘u paguar automjetet e shoferët deputetëve, zëvendësministrave dhe zyrtarëve të administratës. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin që do të lërë pa makina të gjithë deputetët, por edhe drejtuesit e institucioneve shtetërore pa prekur ata të institucioneve kushtetuese. Projektligji për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët e lartë dhe nëpunësit civilë duhet të marrë në Kuvend një shumicë të thjeshtë me 71 vota për të hyrë më pas në fuqi.

Përfitojnë makina

Në relacionin e përgatitur nga Ministria e Financave sqarohet se do të jenë të pajisur me automjete vetëm Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, ministrat, kryetari i opozitës, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i Shërbimit Informativ. Kryeministri Berisha, duke prezantuar këtë nismë të re të qeverisë, vlerësoi se projektligji vendos standarde të reja në shërbimin e transportit të zyrtarëve dhe funksionarëve të shtetit. "Ligji njeh detyrimin e shtetit dhe të qeverisë që të krijohen lehtësirat e domosdoshme për veprimtarinë e tyre të përditshme ofiqarëve të shtetit. Por ligji shkëput në mënyrë përfundimtare establishmentin shqiptar, zyrtarët dhe funksionarët e shtetit nga praktikat e trashëguara të nomenklaturës komuniste", tha Berisha.

Hiqen automjetet

Premtimit të fushatës, se do të "zhvishte" zyrtarët nga privilegjet e transportit, Kryeministri Berisha i ka dhënë formë të prerë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Deputetët, zv/ministrat dhe të gjithë drejtuesit e lartë të administratës shtetërore nuk do të lëvizin më me automjete të paguara nga shteti, por do të marrin para në dorë për të paguar naftën.

Relacioni i Ministrisë së Financave përcakton ndarjen e këtij fondi në bazë të katër kategorive. Kategoria e parë janë deputetët dhe kryetarët e bashkive të mëdha, që do të marrin në muaj 45 mijë lekë, të cilin do ta menaxhojnë vetë për transportin e tyre. Të tjerët, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, drejtuesit e Krimeve të Rënda në gjykatë dhe prokurori nga 35 mijë lekë në muaj. Më pas vijnë kategoritë me trajtim 30 mijë lekë në muaj dhe kategoria e fundit me 20 mijë lekë. Por çështja e transportit të zyrtarëve nuk pritet të mbyllet me kaq. Qeveria do të marrë së shpejti një vendim edhe për fatin e makinave, që janë aktualisht në pronësi të ministrive dhe të gjitha dikastereve shtetërore që preken nga projektligji për transportin e zyrtarëve. Ligji përcakton praktika dhe norma krejtësisht të tjera të standardeve të vendeve të civilizuara për transportin e zyrtarëve dhe funksionarëve. Përpos kësaj, ky ligj do të kursejë së paku mbi 30 milionë dollarë në vit. Sipas kreut të qeverisë, projektligji do t‘i japë fund abuzimit. "Abuziviteti me këto praktika ka bërë që në institucione të ndryshme të shpenzohen nga 12 mijë dollarë në vit në 67 mijë dollarë për shoferët. Shpatullat e taksapaguesve shqiptarë nuk e përballojnë dot diçka të tillë. Mesatarja për shoferin në administratën shtetërore është 19 mijë dollarë", u shpreh Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›