E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk jam demokristian, por i lindur për drejtor. Ika nga PS-ja se postin ma afroi PD-ja

Nga Artur Llana

Është mbledhur sot këshilli bashkiak i Durrësit, por pa mundur të japë një rezultat konkret. Ashtu siç edhe ishte parashikuar, në këtë konstituim kanë munguar këshilltarët e PD dhe të aleancës së saj, ndërsa për të vrojtuar pjesëmarrësit që do të ishin prezent në këtë takim janë zgjedhur dy emra që e kanë tradhtuar më parë PD dhe tashmë kanë dhënë provën e mbledhjes së informacionit. 20 këshilltarët e majtë kanë qenë prezent në këtë mbledhje që është njoftuar nga prefekti dhe që më pas është anuluar jo nga prefekti, por nga një grup zëdhënësash që kanë shkaktuar reaksion edhe në media. Kreu i këshilltarëve të majtë G.Bejko ka mbajtur një deklaratë të shkurtër ku ka konfirmuar vullnetin e PS për tu gjendur pranë qytetarëve, duke theksuar se bashkia e dytë më e madhe në vend është bërë pre e babëzisë së pushtetarëve, të cilët me çdo mënyrë po mundohen të pengojnë konstituimin e këshillit bashkiak të Durësit duke mbajtur kështu peng për interesa të ngushta mjaft nga fondet, të cilat duhet ti shkojnë qytetarëve. Në këtë takim ka munguar kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili është shprehur se nuk është pjesë e asnjë loje që bëhet në kurriz të qytetarëve, por është kryetar i bashkisë i zgjedhur me katër mijë vota më shumë se rivali i tij. E gjithë kjo situatë është e neveritshme politikisht. Ajo që unë mund të them se është shëmbëllimi më i mirë i koalicionit që kërkon të grabisë qytetarët për interesa të ngushta. Tashmë është momenti që ti thërrasim logjikës dhe të vihemi në shërbim të qytetarëve ashtu siç na kanë votuar. Qytetarët nuk mund të jenë peng i lojërave të pushtetit apo i marrjes së pushtetit nga emra të PD-së, ka thënë Dako për gazetën TemA.

Ndërkohë ka pasur një prononcim nga këshilltari Skënder Koni, i cili edhe pse është këshilltar i koalicionit të majtë, është emëruar pak ditë më parë kreu i Inspektoratit të Ndërtimit në Durrës, duke shënuar kështu rikthimin e aleancës së Nard Nokës me Berishën në Durrës. I pyetur nga TemA se çfarë kishte ndodhur me pozicionin e tij ai është shprehur se do të jetë me atë parti që e bën drejtor. Kam qenë drejtor në kohë të PPSH, PD, PS dhe prapë në PD më ka mbajtur drejtor. Dako e refuzoi drejtorllikun tim dhe kjo do të thotë shumë për mua pasi unë jam në këtë parti për të qenë drejtor dhe jo për të qenë demokristian.

I kontaktuar nga TemA lidhur me këtë fakt Dako nuk ka pranuar të japë komente, por ka dhënë se edhe në politikë nuk është e thënë se janë të gjithë të përfshirë në atë fjalën e zanatit më të vjetër. Kjo është demokracia dhe për ta respektuar atë të gjithë duhet të kemi formimin që ajo kërkon dhe jo postin që na duhet për ta mashtruar atë, veten dhe elektoratin. Secili bën një zgjedhje por duhet në radhë të parë të respektojë elektoratin, është shprehur Dako. Por ky nuk është i vetmi zhvilim. PDIU-ja në Durrës po kalon momente të vështira, pasi ka bërë një gabim teknik. Në listë për këshilltarët e bashkisë janë futur katër gra, të cilat më pas do të jepnin dorëheqjen, por kjo nuk ka ndodhur. Të katër gratë të cilat janë prononcuar për TemA, kanë thënë se nuk do të japin dorëheqje, por do të jenë në këshillin bashkiak. Ata kanë fikur telefonin për tu shmangur presioneve dhe nga interesimi i TemA, nuk ndodhen as në shtëpi. Ky është shkaku që mbledhja është shtyrë, por në votimin e fshehtë burime nga LSI-ja kanë bërë të ditur se edhe votat e tyre nuk janë për PD. Ndërkohë që mbledhja e ardhshme për konstituimin e këshillit bashkiak pritet të mbahet më datën 10 gusht. E gjitha kjo nëse PD do të mund të arrijë të gjej një emër për ta propozuar për drejtimin e këshillit bashkiak. E gjithë kjo situatë bëhet edhe më e komplikuar kur bëhet fjalë për kreun e qarkut ku emri i Armand Telitit duket se do te ketë edhe kontestimin e Seid Kërtushës, i cili zotëron një numër të konsiderueshëm votash dhe që mund ti shpërblejë PD atë që ajo i bëri duke e mënjanuar. Kjo bëhet edhe më e qartë kur deputeti Koka ka kërcënuar largimin nëse zgjidhet Kërtusha, por ndërkohë mësohet se Alizoti mund të shkojë në drejtimin e portit dhe qarkun ta marrë LSI-ja. Kështu në rastin më të keq Teliti do të jetë prefekt i Durrësit duke pasur siguri në emërim dhe duke mbetur jashtë procesit të votimit me të cilin duket se nuk i ka punët mirë prej kohësh në Durrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›