E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Nuk jam nje grua e llastuar nga fati"

INTERVISTA/ Producentja e mirenjohur Zana Cela per "KJ", ne lidhje me misionin e saj "Akademik". Nje bisede ndryshe me moderatoren qe mban ne shpine nje karriere te gjate, plot evenimente te rendesishme. Me nje "look" per t'u admiruar, pavaresisht viteve qe rendin, Zana Cela eshte gjithmone dhe me e fresket jo vetem ne pamje, por dhe ne risite qe sjell ne skene dhe ekran, duke nxjerre njekohesisht ne pah vlerat e shume talenteve nga Shqiperia dhe jo vetem

Mbi piramiden e suksesit, ndertuar me shume mund e sakrifica. Zana Cela rrefen jeten e saj. Boten e saj te artit, ate qe e deshi si dashurine me te madhe ne jete, dashuri per te cilen u trishtua, u brengos, lazdroi, u ngjit ne qiellin e shtate. Pasqyra ku eshte ndjere me shume se askund, vetvetja. Nje akademi talentesh nuk kishte si te mos i ngjante profilit te Zana Celes. Gruas qe eksperiencen e saj personale e personifikoi ne ide dhe formate, ne ndihme te talenteve te reja. "Marie Kraja dhe "Akademia e Yjeve" sot jane trampolina nga ku te rinjte shqiptare lancohen drejt skenave kombetare... dhe suksesit nderkombetar...

Sipas mendimit tuaj, nga ndryshon nje femer nga nje mashkull ne karriere?

Nje femer ne karriere eshte destinuar te jete shume e duruar, te prese shume kohe, nje raport i zhdrejte kjo pritje me vlerat qe disponon. Ky fenomen nuk ndodh vetem ne Shqiperi, por kudo ne bote femrat jane te destinuara te punojne me shume, te japin me shume "prova" per t'u evidentuar apo per te bere karriere. Sipas mendimit tim, femrat jane me konkrete dhe te orientuara drejt veprimit dhe prakticitetit. Femrat i shoh te prirura drejt negocimit, kane te zhvilluar aftesine e organizimit, e kjo eshte rrjedhoje e nje balance natyrale qe ato vendosin mes obligimeve familjare dhe profesionale.

Keni pasur edhe fame, edhe pushtet. A te japin keto te dyja lumturi?

Pushtet? Jo, sepse te drejtosh nje institucion, nuk do te thote qe te jesh pjese e nje pushteti apo qeverie. Te drejtosh nje institucion si TOB-i do te thote te jesh personi me i ngarkuar me pune, me shume detyra, qe do te thote "te shtrosh mire kurrizin" ne pune, pa pasur kohe te mendosh se kjo te tjereve mund t'i duket si pune qe te dhuroka pushtet! Persa i perket fames, ajo vertet me ka dhene lumturi pasi eshte fituar, ne rastin tim me shume mund e perpjekje. Ka qene nje rruge e gjate, plot pengesa, ne te cilen kam ecur gjithmone e vetme, pa pasur perkrahjen e prinderve sic kane pasur fatin ta kene shume shoke apo kolege te mi. Kjo udhe e gjate me ka mesuar te jem rezistente e te kuptoj se vetem puna, pasioni dhe sakrifica eshte burimi i gjithckaje - ajo te jep mundesine te jesh e lumtur dhe e respektuar nga shoqeria, ajo te jep guximin te vazhdosh te ndertosh suksesin me dinjitet.

Pushteti fama dhe paraja. Ne c'permasa duhet te jene per t'ju bere te lumtur?

Lumturia per mua nuk ka permasa, nuk mund te jete e "madhe" apo e "vogel". Lumturine njeriu e gjen kudo e ne cdo moment, mjafton te doje ta kerkoje. Nese di te vendosesh nje ekuiliber midis kerkesave qe ke per jeten dhe vlerave te tua, lumturine mund ta hasesh shume shpesh. Per shembull, une ndjehem gjithmone shume e lumtur kur publiku duartroket te rinjte qe konkurrojne ne festivalin operistik "Marie Kraja", por edhe ne "Akademine e Yjeve" etj. Ndjehem krenare kur nje nga fituesit nxjerr nje album apo shquhet ne aktivitetet nderkombetare qe kane qene te shumta. Ndjehem e lumtur sepse une e di mire sa fort rreh zemra e tyre perpara se ato te dalin ne skene, e di fort mire se nese nuk i marrin ato duartrokitje, endrrat u vriten e rrezikojne te pesojne trauma te pariparueshme.

Te qenit gjithnje ne qender te vemendjes ju llaston e ju ben tekanjoze? Cfare ndodh nese ne nje moment vemendja nuk eshte e perqendruar tek ju?

Eshte e vertete, kjo i ndodh kujtdo qe ka pasur rastin te kete nje femijeri apo adoleshence perpara publikut. Eshte nje moshe e pastabilizuar dhe zig-zag-et e suksesit here te llastojne e here te tronditin;derisa vjen mosha e pjekurise, kur ti di tashme te besh nje vleresim te sakte, e si pasoje te mos e kerkosh me suksesin ne vemendjen e te tjereve, por vetem te kerkimi i pafundme i cilesise dhe i kritereve maksimale ndaj vetes, qe te japin shansin te pasurohesh profesionalisht cdo dite.

Thone qe njerezit nuk i kane qejf femrat ne poste drejtuese, sepse nuk leshojne pe. Ju cfare gjurme mendoni se keni lene? Keni drejtuar nje institucion te rendesishem si TOB-i, pastaj nje televizion si "Koha", pa permendur frenat e drejtimit qe keni marre ne super-prodhime si festivali "Marie Kraja" apo "Akademia e Yjeve".

Ne qofte se njerezit shprehen ne kete menyre, mendoj se kane arritur te gjejne percaktimin me te sakte. Kjo do te thote se postet drejtuese duhet t'i marrin vetem femrat, te cilat nuk "leshojne pè", vecanerisht kur flitet per te zbatuar standardet baze te menaxhimit profesional e ligjor. Sa i perket gjurmeve qe kam lene ne Opera, ato nuk jane thjesht mendime te miat apo opinione te te tjereve, por fakte: U ringjall nje institucion qe po kalonte ne agoni nga mungesa e shfaqjeve, nga mungesa e publikut; u vendos nje Kalendar Shfaqjesh qe ne fillim te sezonit, i cili u konsiderua si nje kod i shenjte qe duhej zbatuar 100%; Projekti i binjakezimit me teatrot italiane te operes qe ne e nisem qe ne vitin 2000, vazhdon t'i jape edhe sot suksesin qendror ketij institucioni. Ne fakt, ndjehem me fat qe kam punuar e vazhdoj te punoj me projekte te medha artistike, ku puna ime monitorohet lehtazi nga mijera e mijera njerez.

Na pershkruani pak pozicionimin tuaj ne familje, si nene dhe si bashkeshorte. A ju ndodh t'ia zhvishni vetes "postet e rendesishme" dhe te jeni thjesht shoqe apo mikeshe e bashkeshortit dhe femijes suaj?

Mundohem shume qe te shpetoj familjen nga ngarkesat apo streset e punes sime, por te jem e sinqerte nuk arrij t'ia dal gjithmone. Edhe kur nuk dua t'i ndaj me te afermit e mi problemet e punes, me tradhton portreti dhe bashkeshorti apo djali kembengulin ta ndaj shqetesimin me ta. Eshte lehtesim i madh per mua pasi ata me kuptojne drejt e nuk e quajne ngarkese, invazion te privacy-se apo territorit te tyre. Perkundrazi, jane psikoterapistet e mi me te mire, ato te dy, motra e vellezerit, prinderit gjithashtu. Ndjehem me shume fat per gjithe familjen time. Edhe pse nuk kane pasur mundesi te me ndihmojne ne profesionin qe kam zgjedhur qe kur isha 6 vjece, me kane dhene shume dashuri e shume mirekuptim e kjo me ka forcuar te vazhdoj. Nga ana tjeter, une mundohem te jem nje shoqe e mire per bashkeshortin, djalin dhe kjo me jep gezimin me te madh te jetes sime.

Meqe jemi tek kenga, na tregoni me sinqeritet sa konsumatore e muzikes shqiptare jeni? Cili eshte mendimi juaj per ate qe shitet njelloj sot, si ne tezga te rendomta, ashtu edhe ne dyqane prestigjioze?

Besoj e keni fjalen per kengen, sepse gjinite e tjera te muzikes shqiptare nuk i gjen fare ne tregun tone muzikor, e ky fakt tregon shume sa nivel ka ky treg. Per sa i perket kenges, une them se krijuesit e saj nuk duhet vec te ankohen sic bejne here pas here, por duhet te krijojne me shume qe te mbushin ate vakum qe u krijua ne tregun tone muzikor para 7-8 vitesh. Ky vakum u dha te drejten te tjereve qe nuk e kishin profesion muziken por u treguan te shpejte te zinin vendet bosh e te na sillnin lloj-lloj muzike per ta shitur si shqiptare. Ata nxituan aq shume, saqe arriten te ndryshojne shijet e publikut e si pasoje te drejtojne tregun muzikor. Tani eshte e veshtire pasi shijet nuk ndryshojne me fjalime apo premtime ne skenat e festivaleve. Nese ka vertet deshire per te mbytur aprofesionalizmin ne krijimtarine e kenges, duhet qe asaj, pra kenges, t'i kthehen kengetaret reale te cilet kendojne live; ne kete menyre kenga jone do te gjeje vlerat e saj dhe nuk do te rrezikohet me nga tharja e melodise dhe zevendesimi i saj nga tingujt metalik te tastierave amatore.

Keni punuar me adoleshente, me te rinj me te rritur. A eshte e domosdoshme te "hysh nen lekuren" e tyre per t'i kuptuar?

Sigurisht, mirekuptimi eshte celesi i suksesit ne cdo pune. Duhet te hysh ne deshirat, endrrat e te rinjve e te enderrosh bashke me ta, te ndiesh problemet qe ata kane e te perpiqesh t'i zgjidhesh se bashku. Ky sinkronizim te jep suksesin. Eshte nje nga kriteret e mia profesionale te ndjehem prane botes se konkurrenteve, t'i kuptoj, te jem pjese e zhvillimit te tyre profesional, kulturor dhe shpirteror.

Nese do t'ju duhej te braktisnit televizionin dhe projektet qe keni ndermarre, ku do mund ta gjenit veten tjeter?

Te letersia. Kam studiuar per letersi, pasi e kisha pasion ate. Kam filluar te radhis eksperiencen e jetes sime me momentet me te rendesishme te saj ...

Cila eshte marredhenia juaj me librin dhe me ekrani?

Kam shume lidhje me librin pasi profesioni qe kam duhet ushqyer vazhdimisht dhe ushqimi kryesor sigurisht eshte letersia - ajo e te gjithe gjinive, epokave, klasike e moderne. Ndersa marredhenia me ekranin eshte shume e ngushte. Edhe kur jam e detyruar te bej dicka tjeter e nuk mund ta ndjek, mbaj ndezur televizorin sepse me duket sikur do te me ike ndonje informacion, program, imazh televiziv qe do me duhej patjeter. Jam gjithmone shume ne koherence me prodhimet televizive, duke i ndjekur madje edhe ne panairet nderkombetare. Vetem keshtu mund te pretendoj te kem shikues qe ndjekin prodhimet e mia televizive.

Akademistet kete vit diskutojne shume bukur mbi problemet politike, sociale dhe me gjere. Perse eshte shtuar ky element i ri? Nuk e largon kjo vemendjen nga kompeticioni qe eshte qellimi kryesor i ketij formati?

Jo, nuk mendoj se devijon nga qellimi kryesor qe ne kemi; te formojme artiste te ardhshem te cilet i perkasin nje brezi shume te kompletuar, qe pervec prioriteteve profesionale ne jete te jene te afte te marrin pjese dhe te japin kontributin e tyre ne te gjitha proceset e zhvillimit qe po kalon shoqeria shqiptare. Dua qe ata te mos etiketohen me si dikur qe artistet jane njerez te formuar vetem brenda kultures artistike. Madje, sic e tregon dhe vete realiteti, gjithmone publiku ne koncertet "live" pelqen ata artiste qe dine te komunikojne me te, duke perdorur bukur artin e fjales. Per kete arsye, kete vit nje pjese e programit trajnues i eshte kushtuar etikes ne komunikim, pasi sic e dini fjala artist ka nje status te eperm.

Ju punoni per nxjerrjen e talenteve te reja shqiptare. Cilat jane sukseset e fituesve te Akademise nder vite. Ku ka arritur karriera e tyre?

Finalistet e edicionit te pare jane te gjithe te kontraktuar nga kanalet televizive apo institucionet artistike shqiptare. P.sh.: violinistja Joana Kaimi, fituese e edicionit te pare (ate vit ne konkurrim ishin dhe instrumentistet), sot eshte violinistja kryesore ne skenat tona. Deri me tani ka dhene dhjetera koncerte shoqeruar nga orkestra simfonike. Te tjere si Valoni, Erga, Ajkuna, Bledi, Ronela jane nder kengetaret me te suksesshem ne tregun muzikor dhe fitues ne edicione festivalesh si "Top Fest" apo "Kenga Magjike". Livia, Kristi e te tjere balerine, kane kontrata punesimi ne televizionet "Klan" dhe "Top Channel". Erga dhe se fundi Iris Hoxha, fituesja e vjetshme, sapo kane nenshkruar kontrata me shtepine diskografike "Eurostar" e cila do te nxjerre edhe nje album, kuruar ne studion e kompozitorit te njohur Adrian Hila. Per dy kengetaret fitues te ketij edicioni do kete me shume shanse: shtepia diskografike "Eurostar" do te prodhoje nje album me kenge te reja, perseri nen kujdesin e kompozitorit Adrian Hila. Gjithashtu, kjo shtepi do te prodhoje nje videoklip per cmimin e pare dhe mbi te gjitha "Ballkanika Musik Television" do te prodhoje nje videoklip te standardeve te larta.

A mendoni se muzika shqiptare do marre hov dhe vendin e merituar me kete prurje talentesh te reja qe sillni cdo edicion?

Muzika shqiptare ka vite qe e meriton t'i kthehen kengetaret e vertete. Qe nga edicioni i pare i festivaleve te kenges, per me shume se kater dekada, kenga shqiptare interpretohej nga artistet e saj te vertete, qe do te thote nga kengetaret profesioniste qe i dhuronin publikut emocione te gjalla. Sot kjo skene eshte kthyer ne skene manekinesh, ku rendesia e autoreve te muzikes dhe tekstit po zevendesohet me emrat e stilisteve, dhe ne fakt potencen e vertete nuk e kane me krijuesit e kenges dhe vargjeve, por krijuesit e veshjeve, madje jane ata qe sugjerojne personazhet - kengetare qe duhet te kendojne me superpozim kenget e reja shqiptare, pasi permasat e tyre fizike jane vertet konkurruese.

Dhe ndoshta si revolte, e nxitur nga ky realitet fals, vendosa te filloja kater vite me pare nje reality shoe, per t'i treguar kompozitoreve shqiptare qe ky vend prodhon cdo vit te pakten nga dy kengetare te permasave te medha, te afte per t'u krahasuar me legjenden e kenges sone Vace Zela. Nese duan qe kenget e tyre t'i rezistojne kohes, t'i kthejne syte nga keto vajza dhe djem teper te talentuar dhe te gjejne frymezimin jo me te veshje stilistesh, por te vokalet e mrekullueshme qe keta te rinj kane.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›