E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendin në Europë

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fuele, ka konfirmuar se Kosova dhe vendet e Ballkanit e kanë vendin në familjen europiane dhe ka premtuar se edhe kosovarët do të jenë pjesë e liberalizimit të vizave.

Ai është takuar të premten në Prishtinë me krerë të institucioneve të Kosovës.

Fuele ka theksuar se Brukseli mirëpret vendet e Ballkanit në Bashkimin Europian.

“Kosova ka perspektivë të qartë europiane. Brukseli vazhdon ta shohë rajonin me perspektivë të qartë europiane”, ka thënë Fuele, pas takimit që ka pasur me Presidentin Fatmir Sejdiu.

Ai porositi institucionet shtetërore të Kosovës se duhet të fokusohen në tri çështje kryesore.

”Që autoritetet e Kosovës të përqendrohen në stabilitetin politik në këtë vend, në angazhimin edhe më shumë të pakicave në Kosovë dhe së treti, bërja e progresit në reformat që kanë të bëjnë me BE’në”, ka thënë Fuele.

Zyrtari i Bashkimit Europian sërish u premtoi kosovarëve se edhe ata një ditë do të përfshihen në procesin e liberalizimit të vizave. Për këtë kërkoi të punohet më shumë në luftimin e krimit, korrupsionit dhe qeverisje të mirë.

“Është shumë e rëndësishme që autoritetet e Kosovës të angazhohen në reformat që kanë të bëjnë me Bashkimin Europian, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe qeverisjen e mirë”, ka thënë ai.

Ky zyrtar europian pas takimit që ka pasur me Presidentin dhe Kryeministrin, ka kërkuar hapa konkretë për sundimin e ligjit.

“Në këtë drejtim është e rëndësishme që jo vetëm të dëgjojmë fjalë, por të kemi edhe veprime konkrete”, theksoi Fuele.

Pas takimit me Fuelen, Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova është duke punuar në plotësimin e kritereve të nevojshme sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe procesit të integrimeve.

“Kosova nuk ka vizion tjetër në kuptimin e aderimit të saj, por e ka vizionin që të jetë në një të ardhme anëtare e Bashkimit Europian dhe NATO-s, që të jetë me mundësi të shfrytëzimit edhe të benefiteve’, ka thënë Sejdiu.

“Por sa do të jetë e gjatë rruga dhe sa do të shkurtohet, varet prej punës sonë, por edhe prej mbështetjes”, ka shtuar ai.

Edhe Kryeministri Hashim Thaçi, pas takimit me përfaqësuesin e BE’së, tha se Kosova ka thënë se institucionet e shtetërore janë duke punuar në përmirësimin e sundimit të ligjit dhe integrimin e plotë të pakicave.

“Është jashtëzakonisht inkurajuese perspektiva evropiane e Kosovës, por edhe procesi për liberalizimin e vizave dhe dialogu në procesin e asociim-stabilizimit”, ka thënë Thaçi.
Shefi i Ekzekutivit premtoi se do vazhdojë të punojë në sundimin e ligjit, në mënyrë që Kosova t’i ketë të hapura dyert drejt BE’së.

“Do të vazhdojmë me përkushtimet tona për qeverisje të mirë, për sundimin e ligjit dhe luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kudo që paraqitet”, është zotuar ai.

Thaçi ka thënë se do të vazhdohet bashkëpunimi me EULEX’in dhe ICO’në, për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Ndryshe, komisionari i Bashkimit Europian për Zgjerim, Stefan Fuele, ka ardhur në Kosovë pas vizitës në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë. Ai pritet të vizitojë Shqipërinë dhe pastaj të marrë pjesë në Samitin e Bërdos që mbahet të shtunën në Slloveni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›