E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk ju hetojmë dot, nëse vuk na ndryshoni Kodin e Procedurës”

26/05/2010 Kryeprokurorja Rama raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit në vend

Kuvendi i Shqipërisë shprehu mbështetjen e pakursyer ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mbështetur çdo kërkesë të saj për heqjen e imunitetit ndaj zyrtarit që akuzohet për korrupsion, por nuk premtoi asgjë për sa i takon kërkesës konkrete të Kryeprokurores Rama lidhur më këtë çështje. Gjatë raportimit vjetor para Komisionit të Ligjeve, Ina Rama theksoi vështirësitë që has organi i akuzës në hetimin e personave me imunitet të dyshuar për afera korruptive. Duke sqaruar se vështirësitë nuk lidhen me pranimin e kërkesën nga Kuvendi apo KLD, për të cilën mori edhe mbështetjen, por me rrugën hetimore që i duhet këtij institucioni për të artikuluar këtë kërkesë. Për këtë ajo kërkoi ndryshimin e dispozitës përkatëse në Kodin e Procedurës Penale. “Ne nuk mund të kryejmë dot hetime ndaj individëve me imunitet. Duhet të mbledhim të dhëna për t’i bindur institucionet që i kërkojmë autorizimin për heqjen e imunitetit, të cilat lidhen me: hetim të fshehtë, metoda speciale të hetimit, për interceptime, për kontrolle, ndjekje me grupe, vëzhgime, në mënyrë që të provojmë një aferë korruptive që kryhet në një ambient në fshehtë. Kemi propozuar që dispozita e Kodit të Procedurës Penale të shndërrohet në një nivel tjetër. Pra, që nuk mund të marrësh të pandehur një zyrtar me imunitet, pa marrë më parë autorizimin. Në këtë mënyrë i ruajmë zyrtarit statusin e tij ligjor”, kërkoi Rama. Një tjetër problem shqetësues për institucionin e akuzës, sipas Ramës janë edhe vendimet e buta që jepen nga gjykatat ndaj çështjeve të ngritura nga prokuroria, të cilat, sipas saj, e ulin efektshmërinë e punës së këtij institucioni. “Në dy raste për të hetuar prokurorët nëpërmjet autorizimit të dhënë nga Prokurori i Përgjithshëm, sepse i tillë ishte definicioni i ligjit në kohën kur ka ndodhur çështja, është kërkuar vendosja e masës së arrestit në burg për dy prokurorët dhe në të dyja rastet gjykata shqiptare nuk na kanë mbështetur, por kanë dhënë masa sigurie më të buta”, vijoi ajo. Në përgjigje të pyetjes së deputetëve mbi çështjet që Rama do të veçonte si arritje të institucionit, ajo përmendi çështje që lidheshin me goditjen e korrupsionit në sistem, në gjyqësor dhe prokurori. Duke e cilësuar ta pasaktë të dhënën e mazhorancës mbi nisjen e çështjeve nga kallëzimet penale, Kryeprokurorja sqaroi se të gjitha çështjet janë nisur kryesisht nga prokuroria. Relatori i raportit vjetor, sekretari i komisionit, deputet i mazhorancës, Eduard Halimi, renditi arritjet e institucionit, por përmendi edhe çështje, të cilat sipas tij kërkojnë përmirësime. “Ekzistojnë përpjekje për pastrimin e parave, por kjo mbetet ende një sfidë e papërmbushur e prokurorisë. Duhet të krijohet një strategji e qartë për trajnimin dhe rritjen e performancës së institucionit dhe nga ana tjetër për gjetjen dhe largimin nga sistemi të prokurorëve të paaftë dhe të korruptuar; të rriten kapacitetet investigative të prokurorëve, duke i dhënë përparësi të ndjeshme fillimit të çështjeve kryesisht nga prokurorët dhe jo kallëzimet; të intensifikohet lufta ndaj korrupsionit në administratën qendrore dhe atë lokale si ndaj zyrtarëve, ashtu dhe ndaj ish-zyrtarëve të këtij vendi, duke kryer hetime të shpejta dhe efikase, në mënyrë të veçantë në sistemin e drejtësisë; të intensifikohet lufta ndaj pastrimit të parave duke riparë të gjitha dosjet e depozituara nga agjencitë përkatëse, pa pasur asnjë dallim ndaj të gjithë zyrtarëve, pavarësisht përkatësive politike”, tha Halimi. Këto u përfshinë edhe në rezolutën e Kuvendit për 2010-ën, e cila u abstenua nga opozita.

Qëndrimi i opozitës në komision

Opozita shqiptare, e pranishme në seancën e djeshme dëgjimore, u pozicionua gjatë pyetjeve të saj te çështjet e shumëpërfolura apo ngjarjeve me bujë duke përdorur edhe emra individësh, por nuk mori asnjë përgjigje për to. E këshilluar nga ligji dhe kujtuar nga kryetari i komisionit, Ilir Rusmali, për respektimin e tij, Rama nuk iu dha detaje, pasi këto çështje janë nën hetim. “Neni 53 i ligjit për prokurorinë përcakton kufijtë e kësaj seance, sipas të cilit nuk lejohet dhënia e përgjigjeve për çështje të veçanta. Prandaj do ju kërkoja të mos bënit pyetje rreth çështjeve të veçanta, të nderuar zotërinj deputetë”, kërkoi Rusmali. Deputetët e pyetën për vrasjen e deputetit Xhindi, çështjen e Gërdecit, Durrës-Kukës, protestat e opozitës etj.

Raportet me institucionet e pavarura

Akuzat e disa institucioneve mbi dystandardësinë e përdorur nga organi i akuzës, morën përgjigjen e kreut të saj, Ina Ramës, e cila i trajtoi secilën më vete. “Me Avokatin e Popullit kemi pasur një korrespodencë të rëndësishme dhe në 5 raste janë marrë parasysh rekomandimet e këtij institucioni. Për këtë, Prokuroria e Përgjithshme ka nxjerrë një qarkore që është shpërndarë. Lidhur me ILDKP, ky institucion ka dërguar te ne 13 kallëzime në 2009-ën, nga të cilat janë pushuar 3. Nga këto, dy janë ankimuar në gjykatë, e cila ka lënë në fuqi vendimin e prokurorisë për pushim. Pra, çështja shkon më tej prokurorisë. Nëse flasim për dy standarde, atëherë duhet të themi një gjë të tillë edhe për gjykatat”, tha Rama.

Kërkesat e Kryeprokurores Rama

Rritjen e fondeve buxhetore dhe numrit të përgjithshëm të punonjësve, duke i trajtuar ato si nevojë e institucionit për ushtrimin e funksioneve të tij kushtetuese dhe për implementimin e ndryshimeve që pësoi ligji organik i prokurorisë; amendime të nevojshme ligjore me qëllim kufizimin e imuniteteve për t’i hapur rrugë organit të akuzës që të ushtrojë më me efektivitet ndjekjen penale edhe për këtë kategori personash, veçanërisht në drejtim të veprave penale të korrupsionit dhe krimeve në detyrë; amendimeve ligjore me qëllim dhënien e së drejtës Prokurorit të Përgjithshëm për të vënë në lëvizje kolegjet e bashkuara të Gjykatës së Lartë, me synim unifikimin e praktikave gjyqësore dhe Gjykatën Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›