E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Masakra e Cërrikut u organizua nga Met Bozi dhe Xhepexhiu”

26/05/2010 Numri dy i policisë së shtetit, Agron Kuliqi, rrëfen se nuk qëlluan mbi qytetarët, por u zunë në pritë

TIRANË- Një dëshmi e rëndësishme për masakrën e Cërrikut erdhi në gjykatë dje nga numri dy i policisë së shtetit Agron Kuliqi. Ai në vitin 1997 u emërua shef i komisariatit të Elbasanit dhe menjëherë u vu në krye të autokolonës që mori urdhër për të pastruar zonën e Cërrikut nga armët, si dhe për të vënë kontrollin dhe në funksionim postën e policisë së këtij qyteti. Masakra e Cërrikut, për të cilën ndodhen në bankën e të akuzuarve nëntë të pandehur vazhdon të rrëfehet nga gardistët e plagosur.

Dëshmia e plotë e Kuliqit

“Aktualisht jam me detyrë punonjës i policisë së shtetit. Në vitin 1997 banoja në Tiranë dhe kam qenë me detyrë drejtues pranë Ministrisë së Brendshme dhe më pas u komandova, komandant i komisariatit të policisë të Elbasanit. Në datën 19 maj mora detyrën në Elbasan dhe kam zgjedhur efektivët e policisë në Elbasan, i cili ishte një qytet më i qetë krahasuar me të tjerët. Pasi krijova kontaktet me shefin e krimeve dhe të rendit për situatën në Elbasan kam lënë porositë e mia dhe i kërkova që të më informonin për çdo lloj ngjarje. Kam marrë një takim me ish - shefin e komisariatit të Elbasanit për të marrë një informacion të përgjithshëm për rrethin e Elbasanit. Gjatë bisedës me ish-drejtuesin u informova se një grup personash kanë sulmuar postën e policisë në Cërrik dhe kanë filluar plaçkitjen. Këto ngjarje kanë ndodhur në ditën që unë mora detyrën diku nga 19-20 maj. Bisedova edhe me ish drejtorin për këtë situatë, pasi kjo më përpara kishte qenë zona e tij dhe ata donin të realizonin një tentativë për të vendosur kontakt me anëtarët e kësaj bande. Personi që do të merrte përsipër rolin e ndërmjetësit ishte një punonjës policie nga Cërriku dhe ishte me detyrë shofer i komisariatit të policisë. Nuk kisha njohje për emra dhe persona konkretë, pasi ishte dita e parë e punës. Gjithashtu dua të them se në qytetin e Cërrikut ka pasur të shpërndara edhe armë, pasi depot ishin të hapura, por për rrugët nuk kishte problem. Dita e dytë e punës ka qenë e qetë dhe do të raportoja pranë prefekturës për masat e marra për këtë situatë dhe ishte ora 17:00. Nga fundi i takimit informohem se një grup personash kanë tentuar të hyjnë në komisariatin e policisë së Elbasanit dhe që posta e Cërrikut ishte sulmuar dhe situata në Cërrik ishte jashtë kontrollit. Kam njoftuar eprorët e mi se situata në Cërrik ishte jashtë kontrollit. Këta persona ishin të armatosur dhe bisedova me Agim Shehun për të sjellë forca të ndërhyrjes së shpejtë për të marrë situatën në dorë. Erdhën këto forca rreth mëngjesit nën drejtimin e Arjan Cengës. Nga komisariati i Elbasanit mund të ishin rreth 10 forca, por nuk e mbaj mend sesa kanë qenë. Pasi ata mbërritën në Elbasan kemi diskutuar me drejtuesit e stafeve dhe në orën 7:30 të mëngjesit jemi nisur për në Cërrik, pasi kishim informacion për një bazë ushtarake dhe ishte tendenca për të sulmuar. Gjatë rrugës për në Cërrik kemi shoqëruar për në ambientet e policisë një person që ishte arratisur nga burgu, i cili ishte i armatosur dhe ishte dënuar për vrasje. Kjo ka ndodhur para se të hynim në qytetin e Cërrikut dhe ishte një grup personash të armatosur që po na provokonin. Kemi tërhequr nga një bazë ushtarake në zonën e Belshit armatime dhe kemi lëvizur në drejtim të Cërrikut. Ndërkohë që para se të niseshim për në Cërrik është bërë një plan, ku ne nuk duhet të binin pre e provokimeve dhe në asnjë rast nuk duhet të përdoreshin armë kundër popullit. Ne kishim planifikuar se, nëse do të përballeshim me një situatë të vështirë, mundësia e daljes do të ishte nga ana tjetër e rrugës që do të ndiqnim kur u futëm për në Cërrik dhe ishin marrë edhe masat. Në autokolonë unë isha në makinën e dytë dhe me mua ishin edhe tre agjentë të krimeve, njëri prej tyre u vra në ’97-ën në Elbasan, u vra 2-3 muaj pas ngjarjes së ndodhur në Cërrik. Nëse nuk gaboj quhej Dedë. Kur u futëm në fillim në qytet nuk ka pasur asnjë lloj reagimi nga banorët vendas, kur u afruam tek një ullishte e rrethuar nga pallate të larta afër qendrës kanë filluar krismat nga të gjitha drejtimet. Dhe nga ndërtesa përballë pallatit të kulturës u godit me antitank, dhamë porosi që të tërhiqeshin të plagosurit dhe të tregohej kujdes me situatën që të mos qëllohej ndaj qytetarëve dhe më pas u plagosa edhe unë. Nuk mund ta përshkuaj tamam situatën, pasi u krijua një situatë shumë e rëndë të plagosur, zjarr, goditje kështu që nuk mbaj mend gjë. Jam i kënaqur që u zbatua ligji dhe nuk pati asnjë goditje me armë mbi banorët. Me sa mbaj mend unë duhet të ketë pasur mbi 20 persona të plagosur, por nuk i njoh. Është qëlluar nga e gjithë zona përreth, të shtënat kanë vazhduar për rreth 30 minuta porsa kohë isha unë. Tërheqja ishte nga rruga që kishim planifikuar. Personat që kishin marrë flakë u dërguar për në Tiranë që të merrnin kujdesin e duhur mjekësor. Ka pasur armatime të ndryshme me të cilat u qëllua kundër nesh. Kam dëgjuar për emrat e personave të vrarë në spitalin ku qëndrova, por nuk i mbaj mend. Kam marrë vesh nga burime të miat se autorët e kësaj ngjarje ishin Meti Bozi dhe Roland Xhepexhiu. Kam dëgjuar se Meti Bozi ishte organizator, ndërsa emrin e Xhepexhiut e kam dëgjuar për herë të parë nga shoferi i komisariatit të Elbasanit dhe nga shefi i krimeve pasi ishte person i identifikuar. Nuk e di se kush më ka plagosur”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›