E Diel, 1 Nëntor 2026

“Prolog Giffoni”, traditë e filmit në Durrës

26/05/2010 Pas projeksioneve në qytetet turistike të Sarandës, Vlorës dhe Pogradecit, prej dy ditësh “Prolog Giffoni” ka ndaluar në Durrës. Ky qytet, prej katër vjetësh tashmë është pjesë e itinerarit të “Giffoni Film Festival”, duke sjellë për fëmijët dhe të rinjtë prodhimet më të mira kinematografike botërore. Në atmosferën e një qyteti që ka çelur sezonin turistik, projeksionet e “Prolog Giffoni” kanë qenë të pranishme në ambient të hapur dhe në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, në mungesë të një salle kinemaja. Por kjo nuk i ka penguar nxënësit dhe gjimnazistët të shijojnë projeksionin në ekranin e madh, me tema herë sociale dhe argëtuese. Teksa salla e teatrit ishte mbushur plot nga gjimnazistët e shkollës “Naim Frashëri”, për të përshëndetur festivalin kanë qenë të pranishëm edhe dy drejtuesit e pushtetit lokal të qytetit, kryetari i bashkisë z. Vangjush Dako dhe prefekti z. Genci Alizoti. “Un sogno ad ochi aperti” (Ëndërr me sy hapur), një bashkëprodhim anglezo-francezo-gjerman i regjisorit Paul Morrison ka krijuar një atmosferë gjithëpërfshirëse në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Secili prej tyre e ka parë paksa veten tek protagonisti i filmit David Uajsman, një djalosh 11-vjeçar që ëndërron të bëhet një lojtar i njohur kriketi, por i mungon talenti. Për këtë shpesh e vënë në lojë shokët e shkollës, por ëndrra e tij fillon të marrë jetë kur një familje xhamajkane vjen të jetojë në shtëpinë ngjitur. Pa e kthyer në një film të angazhuar, regjisori Paul Morrison vë në diskutim një çështje të mprehtë sociale: raportet mes racave dhe diskriminimin shoqëror të tyre. Familja e David është herreje, fshqinjët e tij janë zezakë dhe fqinjët e tjerë i vënë mes dy zjarreve. Por kjo nuk e pengon as David të mësojë kriketin me ta dhe as familjen e tij t’u shmanget paragjykimeve. “Ne nuk duhet të jemi racist, një problem social tashmë historik për shoqëritë tona”, ka thënë një vajzë teksa një tjetër e lexon ndryshe këtë film: “Nëse ne kemi vullnet asnjë ëndërr nuk është e parealizueshme”. Duke vazhduar këtë dialogim të drejtpërdrejtë dhe të natyrshëm, “Prolog Giffoni” udhëton sot drejt Lezhës për të ‘takuar” të tjerë fëmijë e të rinj e për t’i sjellë më afër kinemasë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›