Nuk ka armëpushim në Gaza – Hamasi refuzoi ofertën e Izraelit për armëpushim 45-ditor

“Ne nuk do të pranojmë marrëveshje të pjesshme që i shërben agjendës politike të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.” Kështu u shpreh kryenegociatori i Hamasit, Khalil al-Hayya në një deklaratë televizive, duke njoftuar refuzimin e propozimit të fundit të Izraelit për armëpushim.
Ai kërkoi një marrëveshje të menjëhershme mes palëve , që do të mundësonte lirimin e pengjeve të mbetura në këmbim të përfundimit të luftës në Gaza dhe lirimit të të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli. Sipas raportimeve 59 pengje mbahen nga Hamasi në Gaza dhe 24 prej tyre mendohet se janë gjallë.
Sakaq, oferta e fundit e Izraelit përfshinte një armëpushim 45-ditor në këmbim të lirimit të 10 pengjeve. Pas këtij refuzimi, një ministër izraelit i ekstremit të djathtë tha se ishte koha për të hapur portat e ferrit ndaj Hamasit. Ndërkohë ditët e fundit ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet në Gaza duke argumentuar se po shkatërron objektivat terroriste të Hamasit dhe zyrtarët në Tel Aviv thanë se bllokada e vendosur nga 1 marsi për hyrjen e ndihmave humanitare në enklavën palezstineze po vijon për t’i bërë presion Hamasit që të lirojë pengjet e mbetura.
Grupet kryesore të ndihmës ngritën alarmin se sistemi i ndihmës humanitare në Gaza po përballej me kolaps total. Lufta mes dy palëve filloi më 7 tetor 2023 kur Hamasi kreu një sulm ndërkufitar ndaj komuniteteve izraelite, duke vrarë rreth 1200 persona dhe marrë peng 251 të tjerë. Sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit që kontrollohet nga Hamasit, fushata ushtarake e Izraelit në Gaza ka vrarë mbi 51 mijë persona.
/rtsh.al/