E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka dakordësi për komisionin hetimor për fondet IPARD, Bardhi: Po zhbëni parlamentarizmin

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Në drejtimin e Kryetarit, Niko Peleshi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.

Gjatë diskutimit, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësinë për kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, për ngritjen e komisionit hetimor për kontrollin e ligjshmërisë në administrimin e fondeve të programit IPARD II dhe çështja i kaloi për votim seancës plenare.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se Kuvendi mund të bëjë hetim administrativ dhe se nuk dublon punën e prokurorisë.

Bardhi tha se ngritja e komisionit hetimor është një e drejtë kushtetuese, ndërsa akuzoi kreun e Kuvendit, Niko Peleshi, se nuk ka pranuar asnjë mekanizëm kontrolli të opozitës.

“Ne nuk dublojmë punën e Prokurorisë. Fakti që Prokuroria thotë se ka hetim penal tregon se ekziston një problematikë. Kjo është thënë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Prokuroria ka punën e vet, ndërsa Kuvendi ka fushat e veta. Kuvendi ka hetim administrativ. Na e ka thënë Gjykata Kushtetuese: Ngritja e komisionit është e drejtë kushtetuese e 1/4 të propozuesve. Konferenca e Kryetarëve nuk ka asnjë kompetencë tjetër. Dhe po ju sjell në vëmendje, Kryetar, se ka edhe 1 muaj nga mbyllja e sesionit dhe ju nuk keni pranuar asnjë mekanizëm kontrolli të opozitës duke zhbërë parlamentarizmin. Dhe kjo është shkelje e Kushtetutës dhe dhunë ndaj opozitës”, tha Bardhi.

Ndërsa deputetja Ina Zhupa u shpreh se “Kushtetuta thotë se Kuvendi është i detyruar, me kërkesë të 1/4 të deputetëve, të ngrejë komisione hetimore”.

“Ne e dërgojmë në Kuvend për të miratuar anëtarët, pra përbërjen, jo për të vendosur nëse ngrihet apo jo. Një gjë që na e jep Kushtetuta, nuk mund ta merrni ju me partinë tuaj”, tha Zhupa.

Një tjetër pikë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për mocion me debat “Për gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e raportit final të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025”.

Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve vendosi që të zhvillohet debati për këtë kërkesë në seancën plenare të datës 11 Dhjetor 2025.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›