SPANJË – 55 të arrestuar me dyshimin për aktivitet kriminal në destinacionin turistik të Costa del Sol

BARCELONË, 5 nëntor /ATSH-AFP/ – Pesëdhjetë e pesë persona, mes tyre mbi 15 shtetas francezë, janë arrestuar në javët e fundit në operacionet policore që synonin bandat kriminale që vepronin në destinacionin e njohur turistik të Costa del Sol, në Spanjën jugore, i cili është bërë një strehë për trafikantë të shumtë droge vitet e fundit.
Policia spanjolle deklaroi sot se kishte shkatërruar gjithsej shtatë organizata kriminale që vepronin në zonë gjatë operacioneve të ndryshme që çuan në arrestimin e 55 individëve shumë të dhunshëm dhe sekuestrimin e gati nëntë tonëve drogë.
”Midis 55 arrestimeve, më shumë se 15 përfshijnë shtetas francezë”, sipas një deklarate nga policia spanjolle, e cila nuk specifikoi kombësitë e të gjithë të ndaluarve.
Këto operacione, të kryera gjatë muajit të kaluar, synonin të “dobësonin krimin e organizuar që vepron në Costa del Sol”, një zonë e njohur në Spanjën jugore tradicionalisht e njohur për turizmin luksoz, por ku mbërritja e fundit e bandave ndërkombëtare shumë të dhunshme po ngre shqetësime midis autoriteteve.
Rreth 8 984 kilogramë kanabis dhe kokainë, 37 armë zjarri dhe 150 000 euro u sekuestruan gjithashtu gjatë këtyre operacioneve.
Krijimi i bandave kriminale ndërkombëtare në Costa del Sol në vitet e fundit po shkakton shqetësim midis autoriteteve.
Spanja konsiderohet vend ideal për krimin e organizuar ndërkombëtar pasi, gjeografikisht, është një portë hyrëse në Evropë për hashashin e Afrikës së Veriut dhe kokainën e Amerikës së Jugut./ a.jor.