Protesta e opozitës, Berisha: Rama s’mund të dalë mbi gjykatat edhe sikur të ngjallte Enver Hoxhën

Kryeministri Sali Berisha i deklaron edhe njëherë kryesocialistit Edi Rama se çështja e zgjedhjeve është një çëshje e mbyllur dhe se asgjë s’mund ta ndryshojë vendimin e gjykatave. Kreu i qeverisë theksoi se Rama duhet të heqë dorë përfundimisht nga kërkesat e papranueshme dhe të pranojë verdiktin e popullit. “Hapja e kutive është një çështje e mbyllur. I bëj thirrje kreu të opozitës të heqë dorë nga kërkesat e papranueshme, dhe të pranojë verdiktin e popullit. Edi Rama nuk do të mundë të dalë mbi vendimin e Gjykatës edhe sikur të ngjallte ish- diktatorin Enver Hoxha”, u shpreh kryeministri. Berisha i bëri këto deklarata nga qyteti i Krujës ku përuroi nisjen e punimeve të rrugës që lidh qytetin e Krujës me Vendin e Shenjte të Sari Salltikut. Duke komentuar protestën e opozitës në Tiranë për hapjen e kutive, Berisha tha se është e drejtë e të gjithë qytetarëve. Gjithsesi, shefi i ekzekutivit nënvizoi se vendi i Partisë Socialiste është në Kuvend, për të bashkëpunuar për realizimin e reformave integruese.
...