Nuk lejonte Ballukun të fliste në Kuvend, përjashtohet nga seanca Agron Shehaj

Është ndërprerë për disa minuta seanca plenare e Kuvendit pas përjashtimit të kreut të partisë “Mundësia” Agron Shehaj.
Ky i fundit ka bllokuar fjalën e zv.kryeministres Belinda Balluku në Kuvend, teksa ajo po prezantonte pr.buxhetin e 2026-ës.
Kryeparlamentari Niko Peleshi e ka paralajmëruar disa herë Shehajn që të mos fliste nga vendi gjatë fjalës së Ballukut në foltore, duke i dhënë më pas masën disiplinore për përjashtim nga seanca plenare.
“Nuk do bëhesh dot politikan. Do mbetesh një pronar i vogël i call centar-ve që nuk paguan dot sigurimet shoqërore. Nuk bëhesh dot politikan po nuk dole në fushëbetejë. I paguan ato djem dhe vajza me një rrogë më të vogël se minimalja”, iu drejtua Balluku-Shehajt, ndërsa ky i fundit komunikonte me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.
Nga ana e tij në një deklaratë për media jashtë ambienteve të Kuvendit, Shehaj deklaroi se nuk mund të përjashtohen nga punimet e seancës deputetët e opozitës, pasi siç tha ai, janë zëri i qytetarëve.
“Kanë një strategji që nuk shkon me qytetarët shqiptar kundër korrupsionit. Opozita mund të koordinohet por nëse ka i bashkohet të njëjtit parim, ne jemi më drejtësinë pavarësisht kush hetohet e kush shkon para SPAK”, deklaroi Shehaj.
/rtsh.al/