Polonia mbyll konsullatën e fundit ruse – Vendimi pas shpërthimit në linjën hekurudhore Lublin- Varshavë

Polonia njoftoi të mërkurën se do të mbyllë konsullatën ruse në qytetin portual verior të Gdanskut, pasi akuzoi Moskën për organizimin e sabotimit të një linje hekurudhore në fillim të kësaj jave. Polonia ka mbyllur tashmë konsullata të tjera jashtë Varshavës dhe ky vendim lë ambasadën ruse në kryeqytetin e këtij vendi si misionin e vetëm diplomatik të Moskës në atë shtete.
“Kam vendosur të tërheq pëlqimin për funksionimin e konsullatës së fundit ruse në Gdansk”- deklaroi ministri i Jashtëm Radoslaw Sikorski. Ai u shpreh se e kishte paralajmëruar vazhdimisht Rusinë se prania e saj diplomatike dhe konsullore do të reduktohej më tej nëse nuk do të ndalonte aktet armiqësore kundër Polonisë.
Zyrtarët polakë akuzuan Rusinë se dërgoi dy ukrainas për të sabotuar një pjesë të linjës hekurudhore Lublin-Varshavë, duke shkaktuar dëmtimin e shinave. Sikorski e quajti atë një akt terrori shtetëror, por Kremlini i mohoi akuzat dhe akuzoi Poloninë për rusofobi. Ministria e Jashtme e Rusisë tha se do të hakmerrej për këtë vendim të Varshavës.
“Si masë reciproke, Moska do të reduktojë praninë diplomatike dhe konsullore të Polonisë në Rusi”- tha zëdhënësja e ministrisë Maria Zakharova. Marrëdhëniet mes Moskës dhe Varshavës u përkeqësuan ndjeshëm pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, pasi Polonia strehoi qindra mijëra refugjatë ukrainas dhe u bë rruga kryesore për furnizimet perëndimore me armë të Kievit.
Kryeministri Donald Tusk e cilësoi shpërthimin e fundjavës në linjën që lidh kryeqytetin e Polonisë, Varshavën, me zonat kufitare me Ukrainën si një akt sabotimi të paprecedentë që shënjestroi sigurinë e shtetit dhe qytetarëve.
Më herët, Tusk i tha parlamentit polak se dy të dyshuarit kishin bashkëpunuar me shërbimet sekrete ruse për një kohë të gjatë. Ai shtoi se hetimi ishte në vazhdim dhe dy të dyshuarit pas ngjarjes ishin larguar nga Polonia, duke kaluar në Bjellorusi.
Gazetare: Vjollca Zhari
/rtsh.al/