E Diel, 1 Nëntor 2026

“1.2 miliardë euro për bashkitë”/ Ministri Demo zbardh buxhetin 2026: Digjitalizohen 150 shërbime, nuk ka rritje taksash

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, prezantoi sot në Kuvend zërin e pushtetit vendor në projektbuxhetin e vitit 2026, duke konfirmuar një fond prej 1.2 miliardë eurosh, ose 3.52% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Gjatë fjalës së tij, Demo theksoi se ky buxhet nuk parashikon rritje taksash, por bazohet në një ekonomi të qëndrueshme me inflacion të kontrolluar dhe borxh publik në ulje.

“Qeverisja vendore në vitin 2026 trajtohet si aktor real zhvillimi dhe jo si një strukturë periferike. Prandaj investimet dhe reformat e orientuara drejt bashkive kanë peshën më të madhe historike,” u shpreh ministri.

Revolucioni digjital, 150 shërbime online

Një nga risitë më të mëdha të vitit 2026 do të jetë transformimi teknologjik i shërbimeve që ofrojnë bashkitë. Ministri njoftoi nisjen e një projekti madhor që synon të vendosë Shqipërinë pranë standardeve të BE-së.

“Digjitalizimi i shërbimeve vendore do të prekë më shumë se 150 shërbime lokale. Ky do të jetë një nga projektet më të mëdha të digjitalizimit vendor në Ballkan,” tha Demo.

Financat vendore, rekord të ardhurash dhe Taksa e Pasurisë

Ministri vlerësoi performancën e bashkive në mbledhjen e të ardhurave, duke e cilësuar dyvjeçarin e fundit si një histori suksesi me 32 miliardë lekë më shumë të grumbulluara.

Për vitin 2026, parashikimet janë:

•     Të ardhura shtesë: Parashikohet një rritje prej 3.2 miliardë lekësh.

•     Taksa e Pasurisë: Parashikohet të rritet me 2 miliardë lekë, duke arritur një total prej 10 miliardë lekësh.

•     Investimet: Për herë të parë, investimet vendore do të kapin shifrën e 1% të PBB-së.

Garancia ekonomike

Demo nënvizoi se ekonomia shqiptare “hyn në vitin 2026 me themele të forta, duke bërë të mundur një buxhet total kombëtar prej mbi 9 miliardë eurosh”.

“Ky buxhet siguron më shumë autonomi dhe përgjegjësi reale për bashkitë, duke i vendosur ato në qendër të zhvillimit ekonomik dhe social,” përfundoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›