E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk më kujtohet sa herë e godita”, vrasësi i Ilaria Sulës: Nuk e di çfarë më ndodhi! Pas krimit doja të mbroja nënën time

Mark Antony Samson, i cili ka pranuar vrasjen e ish të dashurës së tij me origjinë shqiptare Ilaria Sula, ka dëshmuar para Gjykatës së Krimete të Rënda në Romë, duke rindërtuar momentet që çuan në krimin e rëndë.

Gjatë seancës, 24-vjeçari deklaroi: Nuk di të shpjegoj çfarë më ndodhi. Ishte sikur më ra një perde mbi sy, ndjeja një përzierje emocionesh negative. Nuk më kujtohet sa herë e godita në fytyrë, por sigurisht më shumë se dy herë.

Ngjarja tragjike ndodhi më 23 mars 2025, kur e reja u vra me thikë në apartamentin e Samson në Romë.

I pandehuri pranoi gjithashtu se nuk kishte thënë gjithmonë të vërtetën gjatë hetimeve: Kur nëna ime nuk ishte ende nën hetim, përpiqesha ta mbroja.

Në dëshminë e tij, ai tregoi se viktima kishte qenë “e zemëruar dhe e zhgënjyer” pasi kishte zbuluar gënjeshtrat e tij lidhur me provimet dhe notat në universitet.

Në sallë ishin të pranishëm edhe prindërit e Ilaria Sulës, të cilët përjetuan momente të rënda emocionale. Nëna e saj u detyrua të largohej për pak minuta për shkak të një gjendjeje të rënduar shëndetësore.

“Janë ditë të vështira. Të dëgjosh ato gjëra dhe të kujtosh momentet e fundit të jetës së vajzës është shumë e dhimbshme”, u shpreh ajo.

Ndërsa babai i 22-vjeçares theksoi: Nuk kërkoj hakmarrje, por drejtësi, dhe drejtësia do të thotë burgim i përjetshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›