E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk mjafton zemra, Franca merr 3 pikët në Shqipëri

TIRANE-Kombëtarja shqiptare është mundur 1-2 nga Franca, duke mbetur prapa në grupin D të Euro 2012. Kuqezinjtë nuk kanë mundur të ndalin dot yjet francezë, që kanë zhvilluar një pjesë të parë të jashtëzakonshme në "Qemal Stafa". Skuadra e Loran Blank ka hyrë në fushë për 3 pikët dhe në fund ka arritur t'i marrë ato edhe pse në pjesën e dytë Shqipëria ka treguar një tjetër fytyrë. Golat e shpejtë të ekipit mik e bënë ndeshjen shumë të vështirë për kombëtaren kuqezi, megjithatë Franca më pas e uli ndjeshëm ritmin, duke bërë që lojtarët shqiptarë ta rrezikojnë jo pak herë. Në fakt, fraksioni i dytë i lojës ka qenë një tmerr për "Gjelat", të cilët janë shpëtuar në disa momente nga portieri Loris. Përpos kësaj, skuadra e Blank ka merituar gjithçka, pasi ajo është shfaqur prepotente në fushën e "Qemal Stafës" edhe pse ulja e ritmit në fraksionin e dytë, bëri që të ndryshonin shumë gjëra në favorin e Shqipërisë. Pas takimit të mbrëmshëm, Franca ruajti kreun e grupit me 16 pikë, ndërsa Shqipëria mbeti në kuotën e 8 pikëve. Të martën, kuqezinjtë do të luajnë në Luksemburg, ku do të kërkojnë fitoren përballë një ekipi modest. Për t'u theksuar edhe fakti, se në ndeshjen e mbrëmshme, topin e parë e nisi Alban Bushi, i cili i dha lamtumirën futbollit.
Ndeshja
Sfida nisi me një Francë agresive, e cila arriti të gjejë golin e parë pas vetëm 12 minutash me anë të Karim Benzema. Sulmuesi i Realit goditi rrufeshëm nga jashtë zone, duke mposhtur Ujkanin dhe duke kaluar "Gjelat" në avantazh. Një minutë më pas, Hamdi Salihi goditi traversën, në një aksion të bukur të kuqezinjve. Por, minuta e 18-të ka qenë fatale për Shqipërinë. Benzema u nis nga limitet e pozicionit jashtë loje dhe topi i futur prej tij nga e djathta, gjeti M'Vila, i cili mposhti Ujkanin për herë të dytë. Në pjesën e parë Shqipëria ka vuajtur së tepërmi agresivitetin e francezëve, por fillimi i së dytës, ka bërë që gjërat në fushë të ndryshojnë. Një pasim i gjatë i Bulkut, u shfrytëzua mjaft mirë nga Bogdani, që mposhti portierin francez Hugo Loris. Nga ky moment loja ndryshoi. Hyka humb një rast të artë pas një aksioni të Vangjelit nga e majta, ndërsa në të njëjtin moment, gjuajtja e Bulkut u prit nga Loris. Minuta e 65-të sollin kartonin e verdhë të Canës, i cili nuk do të luajë më 6 shtator në Luksemburg. Ndërkohë, Elis Bakaj për pak ka shënuar nga një goditje dënimi 13 minuta para fundit, por ishte sërish portieri i Francës që largoi. Miqtë më pas nisën të shihnin sërish drejt portës, me Riberi që ndërtoi një aksion të bukur dhe më pas, me Kabul që goditi shtyllën nga një goditje këndi. 4 minuta para fundit erdhi një shtyllë tjetër e francezëve, ndërsa deri në fund rezultati nuk ndryshoi.
Kuzhe: 24 minuta tmerri, në
pjesën e dytë s'patëm fat
Vuajtëm shumë fillimin agresiv të Francës, 24 minutat e para ishin një tmerr. Ka qenë kjo deklarata e trajnerit të kombëtares Josip Kuzhe pas takimit të mbrëmshëm, që shënoi humbjen e parë në shtëpi për këto eliminatore. "Fillimi qe shumë i keq për ne, ndërsa në pjesën e dytë e rritëm shumë ritmin e lojës dhe mund të kishim shënuar edhe gola të tjerë. Mendoj se ishim edhe pak të pafat në disa momente", deklaroi më tej trajneri kroat. "Kishim zemër, por Franca ishte shumë lart", tha Hamdi Salihi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›