E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk mund të ketë rinumërim votash, opozita të mos pengojë integrimin në BE”

Deklaron në përfundim të vizitës në Shqipëri Sergio de Gregorio, kryesuesi i delegacionit italian të Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Opozita shqiptare të tregojë vullnet në zgjidhjen e krizës. me sjelljen e saj, ajo bëhet pengesë e integrimit të Shqipërisë në BE.
Ky ka qenë mesazhi i shprehur dje, nga Sergio de Gregorio kryesuesi i delegacionit italian të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në një konferencë shtypi, pas përfundimit të vizitës zyrtare në Shqipëri.
I pyetur për çështjen e hapjes së kutive, zyrtari i lartë tha se nuk mund të bëhet rinumërimi i votave.
Sipas senatorit Sergio de Gregorio, kriza politike që ka mbërthyer Shqipërinë kohët e fundit paraqet pengesë në rrugën e integrimit të saj drejt Bashkimit Evropian.
Sipas tij, është fakt se kriza politike, e provokuar nga opozita, nga ana tjetër pengon edhe zbatimin e strategjisë së NATO-s, prandaj përbën shqetësim për Aleancën kundrejt Shqipërisë.
Në këtë kuadër, ai bëri thirrje për zgjidhjen sa më parë të krizës në vend dhe angazhim e vullnet politik për këtë edhe nga ana e deputetëve socialistë, duke i ftuar ata të marrin pjesë në Parlament, për ta bërë atë sa më funksional.
“Parlamenti të jetë funksional, duhet dialog dhe konsensus për të zgjidhur krizën”, tha ai.
Nga ana tjetër, ai tha se janë një sërë ligjesh që duhen për në NATO dhe Bashkimin Evropian prandaj liderët politikë duhet të gjejnë një zgjidhje që të realizohet mirëfunksionimi i parlamentit.
Gjatë qëndrimit dy-ditor në vendin tonë, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s u takua me krerët më të lartë politikë si Topi, Berisha dhe Topalli, nga të cilët ka kërkuar bonsens për reformat dhe ka shprehur bindjen se politika shqiptare do ta gjejë rrugën për të dalë nga kriza që e ka kapluar, duke ecur gjithmonë para, drejt aspiratës evropiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›