Nuk ndalet puna për lirimin e hapësirave publike të zaptuara

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon puna për lirimin e hapësirave publike të zaptuara nga subjektet private.
Kryeministri Edi Rama publikoi sërish sot pamje nga ndërhyrjet në terren.
“Puna për të liruar hapësirat publike të zaptuara vijon”, deklaroi Rama.
Nisma është pjesë e programit “Rilindja Urbane 2.0” dhe synon rritjen e cilësisë së shërbimeve, funksionalitetit urban dhe respektimin e standardeve të mikpritjes në çdo qytet të Shqipërisë.
E nisur në muajin korrik, kjo nismë është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.
Qeveria ka forcuar kontrollet mbi territorin dhe ka ashpërsuar masat në Kodin e ri Penal për goditjen e ndërtimeve pa leje. Gjithashtu, pritet miratimi i Rregullores së re Kombëtare, e cila do të përcaktojë qartë hapësirat që bizneset mund të përdorin ligjërisht.
Përmes portalit “Hapësira ime publike”, qytetarët kanë raportuar deri tani 16 891 raste shkeljesh. Nga këto, 12 948 janë zgjidhur, ndërsa 3 943 raste janë në proces shqyrtimi.
/a.gj/a.f/r.e/