E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, Basha: Situata në Shkodër është normalizuar

Bilanci, janë përmbytur 10 mijë ha tokë, janë evakuuar 4170 banorë Vijon shpërndarja e ushqimeve në zonat e përmbytura

Situata në qarkun e Shkodrës ka pasur disa përmirësime, krahasuar me një ditë më parë. Niveli i ujit ka pësuar rënie, ndërkohë që niveli i ujit në lumin Bunë mësohet të jetë 14 cm nën nivelin maksimal. Me urdhër të Kryeministrit Berisha kanë nisur bisedimet dje me autoritetet malazeze për të parë mundësinë e lehtësimit të derdhjes së ujit të lumit Bunë, me qëllim shmangien e daljes nga shtrati i tij. Po të njëjtën gjë janë duke bërë autoritetet shqiptare edhe me ato maqedonase, të cilëve u është kërkuar që të lehtësohen sadopak prurjet e lumit Drin në vendin tonë. Nga ana e palës maqedonase ka ardhur si përgjigje se nuk janë shtuar derdhjet në lumin Drin, megjithatë nga ana e tyre do të bëhet sa është e mundur për të ndihmuar në këtë situatë vendin tonë. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në një konferencë për shtyp në qytetin e Shkodrës ka deklaruar se situata në zonat e përmbytura në veri është normalizuar. Ai theksoi se në zonat e përmbytura ka rënie të nivelit të ujit. “Në zonat e përmbytura niveli i ujit ka rënë, ndërkohë që evakuimi i banorëve do të vazhdojë”, - u shpreh ai. Ministri Basha ka bërë me dije se deri tani janë evakuuar 4170 banorë, ndërkohë që po vijon edhe shpërndarja e ushqimeve. Sipas ministrit, pritet që në këto zona të mbërrijnë dy helikopterë të specializuar për evakuime. Ministri i Brendshëm pohoi se thirrjes për ndihmë i janë përgjigjur disa shtete, ndërkohë që evakuimi i banorëve ka vijuar me të njëjtin ritëm edhe përgjatë ditës së djeshme.

Evakuimi

Ushtria dhe policia kanë qenë në gatishmëri për të zhvendosur nga banesat e tyre jo vetëm banorët e zonave të izoluara apo të përmbytura nga uji, por edhe bagëtitë e tyre. Për evakuimin e tyre janë përdorur varkat me motor dhe lopata të Brigadës së Mbështetjes Rajonale, si dhe disa mjete të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit janë dërguar në zonat e përmbytura të rrethit të Shkodrës 10 tonë ndihma ushqimore, të cilat janë depozituar në vend-magazinimet e përcaktuara nga Komisioni i Emergjencave i qarkut të Shkodrës. Në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore njësitë e Forcave të Armatosura me mjetet e tyre kanë transportuar dhe shpërndarë pranë familjeve në nevojë 5 tonë ndihma ushqimore. Përveç shpërndarjes së ndihmave në konviktet dhe vendqëndrimet e evakuimit, ndihmat ushqimore u janë dhënë edhe familjeve që kanë strehuar të afërmit e larguar nga përmbytja. Në zbatim të detyrave të lëna nga Komiteti Ndërministror, u urdhërua dje të dërgohen brenda ditës nga strukturat e ushtrisë ndihma ushqimore brenda zonës së përmbytur sipas këtij plani, në komunën Dajç 5 tonë ujë dhe 5 tonë ushqime, në komunën Velipojë 200 pako ushqime, 200 bidonë ujë 5 L, 20 çadra, në komunën Bushat 200 pako ushqime dhe 200 bidonë ujë 5 L, në komunën Guri i Zi, 300 pako ushqime dhe 300 bidonë ujë 5 L, në komunën Ana e Malit, 170 pako ushqime dhe 150 bidonë Ujë 5 L, në Bashkinë Shkodër 300 pako ushqime dhe 300 bidonë ujë 5 L. Të dërgohen rezervat ushqimore për blegtorinë sipas planit të kërkesës të përgatitur nga DBUMK-ja, bashkëlidhur këtij urdhri. Për shpërndarjen e ndihmave ushqimore të komunitetit të evakuuar jashtë zonave të përmbytjes të bëhen listat përkatëse nga kryetarët e njësive vendore dhe nevojat e familjeve sipas qendrave të akomodimit në familjet përkatëse që janë të akomoduara aktualisht brenda ditës së djeshme. Janë ngarkuar me detyra kryetarët e njësive vendore në bashkëpunim me strukturat e policisë dhe ushtrisë për të verifikuar konkretisht familjet e evakuuara pranë të afërmve të tyre, identifikimin e tyre me qellim që ndihmat të shkojnë në destinacionin e duhur. Gjithashtu, përmirësime ka pasur edhe në urën e Fierzës që lidh Tropojën me pjesën tjetër të vendit. Punimet e kryera mëngjesin e djeshëm kanë bërë që kjo urë të jetë plotësisht në funksion dhe të mos paraqesë asnjë problem për lëvizjen e automjeteve.

Punime për riparimin e argjinaturave të dëmtuara

Sipërfaqja e përmbytur, krahasuar me dy ditë më parë, ditën e djeshme ka ndryshuar. Në të gjithë rrethin e Shkodrës kanë qenë të përmbytur 10270 ha tokë bujqësore, por dje situata ka ndryshuar me uljen në 270 hektarë. Forcat operacionale në terren kanë punuar në argjinaturën e Çasllit gjatë gjithë natës. Si rezultat i ngritjes së nivelit të ujit është ndërprerë puna për mbingritjen e argjinaturës së Çasllit. Uji vazhdon të kalojë mbi argjinaturë, duke u futur në tokat që kullohen me hidrovorin e Çasllit. Gjithashtu, po sipas të dhënave të Komitetit Ndërministror, edhe në zonën e Dajçit niveli i ujit ka mbetur konstant. Aktualisht, nuk ka thyerje të argjinaturave. Është lejuar kalimi i lirë i ujit në argjinaturën e Daragjatit për të mbrojtur argjinaturën e Dajçit. Furnizimi dhe operacionet e ndryshme për Daragjatin kryhen nëpërmjet Bunës nga Muriqani. Mësohet se sapo të bjerë niveli i ujërave, strukturat e Forcave të Armatosura do të riaftësojnë plotësisht argjinaturat.

Evakuimet vazhdojnë në banorë dhe bagëti

Situata ende kritike në qarkun e Shkodrës shikon si domosdoshmëri vijimin e evakuimeve në zonat me probleme. Kështu, gjatë ditës së djeshme janë evakuuar nga komuna Guri i Zi në fshatrat Kuç, Rrenx, 46 persona; 18 banorë në lagjen Ajasem, 12 banorë në Bahçallëk; 21 banorë në lagjen “Salo Halili”; 50 banorë në lagjen “Guerile” (Livade). Gjithashtu, janë evakuuar 300 banorë në komunën Bërdicë në fshatin Trush; 108 banorë në komunën Dajç, fshatrat Shirq, Mushan, Belaj, Sukaj të Dajçit, Samrish i Vjetër, Samrish i Ri, Dajç; 43 banorë në komunën Ana e Malit, fshati Obot i Vjetër; si dhe 120 banorë në komunën Bushat në fshatin Ashtë. Gjithashtu, nga komunat e qarkut Shkodër janë evakuuar mbi 1365 bagëti të imta dhe të trasha.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›