Dema: Situata, më e zbutur; digat, krejt të sigurta
Kreu i Këshillit Mbikëqyrës në KESH: HEC-et prodhojnë me kapacitet të plotë
Reshjet e rëna 24 orët e fundit nuk përkeqësojnë situatën në kaskadë
Prurjet në kaskadën e Drinit janë ulur dhe bashkë me to dhe rreziku për digat e hidrocentraleve. Ekspertët e kësaj fushe japin garanci se jemi tashmë në një situatë më të përmirësuar në kaskadën e Drinit, çka do të thotë se në ditët në vazhdim, ky përmirësim do të nisë të ndihet edhe në zonat e përmbytura. Pjetër Dema, kryetari i Këshillit Mbikëqyrës së KESH-it, në një dalje publike, bëri me dije se digat nuk janë më të kërcënuara nga prurjet e shumta, të cilat do të rrisnin nivelin e rezervuarve të tyre. Ai ka qenë vetë në të tre hidrocentralet dhe ka parë nga afër situatën e tyre, ndaj ka deklaruar para gazetarëve se gjendja është drejt përmirësimit. Dema ka pranuar kështu zyrtarisht se situata në kaskadën e Drinit është më e stabilizuar. Dema bëri të ditur dje se gjendja hidrike nuk është më kritike. Ai tha se në tre HEC-et punohet me kapacitet të plotë dhe për punonjësit kjo është një situatë tashmë normale. Sipas tij, nuk ka vend për panik se digat janë në rrezik, pasi është marrë çdo masë. Por, reshjet e rëna në 24 orët e fundit duket se për METE-n nuk e kanë përkeqësuar situatën hidrike.
Sipas të dhënave të bëra publike dje nga KESH-i, niveli i Fierzës dje ishte
292.14 metra, prurjet në këtë HEC kanë qenë 620 m3 ujë/sek dhe niveli i shkarkimeve ka qenë 1120 m3 ujë/sek. Ndërsa në hidrocentralin e Komanit niveli i shënuar dje ishte 171.52 metra, niveli i prurjeve në këtë HEC ka qenë, 440 m3 ujë/sek dhe ai i shkarkimit të ujit 1800 m3 ujë /sek. Në hidrocentralin e Vaut të Dejës niveli ka qenë 74.27 metra, niveli i prurjeve në të ka qenë 240 m3/sek dhe niveli i shkarkimit të ujit ka qenë 1900 m3/sek. Në HEC-et Shkopet dhe Ulëz, niveli ka qenë dje 127.54 metra. Në tre HEC-et e mëdhenj është punuar këto ditë me kapacitet të plotë dhe është prodhuar rreth 24-28 milionë kilovat orë energji në ditë, ku rreth 10-11 milionë kilovat orë energji është eksportuar dhe pjesa tjetër i është shitur kompanisë çeke që ka privatizuar tashmë OSSH-në. Ndërkaq, OSSH-ja vazhdon të importojë rreth 7 milionë kv orë energji në ditë.
Prurjet dhe shkarkimet dje në 3 HEC-et:
Niveli Prurjet Shkarkimi
Fierza 292.14 m 620 m3/sek 1120 m3/sek
Koman 171.52 440 m3/sek 1800 m3/sek
Vau i Dejës 74.27 240 m3/sek 1900 m3/sek