E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk paska vend për rrobat e të vrarëve në luftë!

Rrobat e gjetura bashkë me mbetjet mortore në Kosovë nuk janë marrë asnjëherë nga familjarët. Ato është dashur të ekspozohen në Muzeun e Kosovës si pjesë e luftës së fundit, por po vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e mjekësisë ligjore, duke qenë në rrezik për t’u shkatërruar.

Një pjesë e vogël e tyre ishte dërguar në Muzeun e Kosovës para dy vjetësh në bazë të një marrëveshjeje që ky institucion kishte pasur me Institutin e Mjekësisë Ligjore, transmeton KTV. Por, zyrtarë të muzeut, sipas shefit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, nuk u panë më kurrë këndejpari. Kritik ndaj mosrespektimit të marrëveshjes tregohen edhe familjarët e personave të zhdukur.

Drejtori i muzeut, Shafi Gashi, thotë se është e vërtetë që marrëveshja nuk është zbatuar nga historianët e institucionit që ai udhëheq. Sipas tij, ai tash vonë është informuar për këtë dhe se tashmë ka marrë masa në këtë drejtim. Megjithatë, edhe me fillim të zbatimit të marrëveshjes, Gashi paralajmëron se jo të gjitha rrobat do të merren, ngase, sipas Gashit, në muze nuk ka shumë vend. /Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›