E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk shfrytëzoheshin, kthehen në poliklinika

31/10/2011  Prej vitesh spitalet rretheve të vogla kanë thithur fonde, por pa dhënë rezultat

Prej vitesh një numër i konsiderueshëm spitalesh në rrethe të ndryshme të vendit kanë funksionuar vetëm sa për të shpërdoruar fondet shëndetësore, pasi nuk shfrytëzoheshin nga pacientët. Për këtë është vendosur nga strukturat shëndetësore që të gjitha këto të ashtuquajtura “spitale rajonale” në rrethe të vogla të shndërrohen në poliklinika. Konkretisht bëhet fjalë për më shumë se 12 spitale të tilla që marrin statusin e poliklinikës, duke vijuar ofrimin e shërbimeve mjekësore veçanërisht ato të urgjencës, të cilat tashmë do të jenë ditore. Ndërsa shërbimet më të specializuara spitalore me kapacitetet përkatëse të shtrimeve do të transferohen drejt spitaleve rajonale që ndodhen në rrethet e mëdha të vendit, (ku do të jetë dhe përqendrimi i tyre). Kjo me qëllim shfrytëzimin më të mirë të tyre dhe shmangien e mbajtjes hapur të spitaleve që për vite me radhë kanë funksionuar në hije. Kështu, këto të ashtuquajtura “spitale rajonale”, që ndodhen në rrethet me popullsi të vogël, nuk do të kenë më këtë status. Ky vendim ka ardhur si pasojë e numrit të ulët të pacientëve që i kanë frekuentuar, si dhe nga treguesi i ulët i përdorimit të kapaciteteve të shtrimit, çka fakton mosfunksionimin e tyre dhe përdorim jo të duhur të fondeve. Prej vitesh këto spitale, që kanë thithur fonde, nuk kanë dhënë produktin e duhur, ndaj është vendosur përfundimisht që të kthehen në spitale ditore me maksimumin 5-10 shtretër, ku do të ofrohet ndihmë shëndetësore emergjente. Pranë këtyre poliklinikave do të trajtohen rastet urgjente, ku do të jepet ndihma e parë e më pas, në varësi të ecurisë së gjendjes shëndetësore, secili rast do të dërgohet në spitalin më të afërt rajonal për të marrë shërbimin më të specializuar. Gjithashtu është konfirmuar se reformimi funksionimin e shërbimeve në mënyrë më racionale do të shtrihet edhe në spitalet rajonale në 12 qarqet e vendit. Nga mosfunksionimi siç duhet i këtyre hallkave që në rrethe është rënduar funksionimin normal i spitaleve të mëdha, e veçanërisht ato që klasifikohen si spitale terciare. Kjo pasi shpërndarja e padrejtë e fondeve ka bërë që këto të fundit të mos marrin fondet e duhura, ndërkohë që janë përballur me një fluks të lartë kërkesash për shërbime. Kjo gjendje më shumë ka rënduar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet, e cila çdo vit pret më shumë se 5 milionë pacientë për marrjen e trajtimeve të ndryshme mjekësore, duke përfshirë këtu edhe ato më të thjeshtat, që fare mirë mund të merren në spitalet e rretheve, pa u dashur të krijohet kaos dhe fluks në kryeqytet. Kundrejt këtij fluksi të lartë vizitash pak kohë më parë është konfirmuar nga drejtues të QSUT-së se nga pesë mijë operacione të kryera këtë vit në shërbimet e kësaj qendre gjysma e tyre u përkasin pacientëve të rretheve. Gjithashtu mjekët vënë në dukej se jo pak, por rreth 60 për qind e këtyre ndërhyrjeve mund të kryheshin edhe në spitalet rajonale.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›