Mbyllet zyrtarisht procesi i regjistrimit të popullsisë
Qytetarët shqiptarë do të presin një muaj për të mësuar rezultatet zyrtare të regjistrimit të popullsisë dhe banesave ose siç njihet ndryshe Censusi.INSTAT ka deklaruar sot mbylljen e proçesit të mledhjes së të dhënave në terren dhe fillimin e përpunimit të tyre. Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja deklaroi se anketuesit kanë trokitur në çdo derë të shqiptarëve duke e përfunduar Censusin me sukses.
Ndërkohë në muajin nëntor pritet që të fillojë Anketa e pas-Censusit e cila ka si synim vlerësimin e punës në terren për mbledhjen e të dhënave për regjistrimin e popullsisë dhe banesave, një kërkesë kjo e EUROSTAT.
Procesi i regjistrimit të banesave dhe qytetarëve nisi më 1 tetor dhe fillimsiht INSTAT njoftoi se ai do të zgjaste 3 javë. Mirëpo duke parë ecurinë, ku një pjesë e mirë e shtetasve në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të mëdha, për shkaqe të ndryshme nuk mundën të regjistroheshin, INSTAT tha se nevojitej edhe një javë kohë për të përmbyllur me sukses procesin. Në javën e fudnti të tetorit, në terren dolën kontrollorët të cilët jo vetëm kontorlluan punën e regjistruesve, por regjistruan edhe të vonuarit.
Censusi i popullsisë dhe banesave është një imazh statistikor që tregon, përmes të dhënave, kush jeton në Shqipëri, kushtet socio- ekonomike dhe kushtet e jetesës. Censusi është një nga veprimtaritë statistikore më të rëndësishme e cila siguron një informacion te detajuar mbi numrin dhe strukturën e popullsisë, e krahasueshme edhe në njësi shumë të vogla gjeografike. Censusi nuk është i lidhur me regjistrat e taksave, pensioneve, pronësisë, shpërndarjes se energjisë elektrike apo statusit të emigrantit.