Nuk takonte fëmijën, vetëvritet 22 vjeçarja
Nga Arta AGOLLI
Vdes 22 vjeçarja, pas ngjarjes bashkëshorti vetqëllohet me armë
Korçë/Më vjen keq, por nuk mundem më. Po largohem nga kjo jetë, pasi ish bashkëshorti më ka mohuar takimin me tim bir, për të cilin do të jepja çdo ditë te jetës time, iu lë amanet fëmijën. Këto ishin rreshtat e fundit të shkruara në një letër lamtumire nga 22-vjeçarja Qerime Hetemaj, e cila i ka dhënë fund jetës mëngjesin e djeshëm në Korçë, duke u vetëvrarë me armë zjarri për shkak se nuk takonte prej më shumë se shtatë muajsh djalin e saj të vogël një vjeç, e cili mbahej pa leje nga ish bashkëshorti i saj. Por vetëm pak minuta pasi ka mësuar për tragjedinë, burri i saj i dytë ka tentuar të flijohet duke u vetëvrarë me armën e zjarrit.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi në fshatin Ravonik, pranë ish-repartit ushtarak, në qytetin e Korçës, kurse viktima është Qerime Hetemaj, nga Berati, e martuar para një muaji për herë të dytë pas dështimit të martesës së parë, nga e cila kishte dhe një fëmijë një vjeç. Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet e ngjarjes së rëndë, ndërsa mësohet se vajza u kishte lënë familjarëve edhe një letër lamtumire, ku u kërkonte të falur për veprimin e saj. Pista kryesore është depresioni për shkak të jetës së vështirë të 22-vjeçares, që vinte nga komuniteti rom, e cila kishte qenë e martuar më parë dhe ish bashkëshorti nuk e linte të takohej me fëmijën e saj. Sipas të dhënave edhe kushtet aktuale financiare në të cilat jetonte 22 vjeçarja ishin të vështira. Familjarët u shprehën se çifti shkonte shumë mirë, një muaj më parë ishin martuar dhe jetonin të ndarë nga pjesa tjetër e familjes. Hetemaj u gjet e pajetë në dhomën e gjumit nga bashkëshorti i saj, Alban Serjani, (viktima mbante ende mbiemrin e vajzërisë), i cili nuk mundi ta përballonte traumën dhe tentoi të vetëvritej me të njëjtën armë. Fatmirësisht familjarët dhe fqinjët e tij arritën në kohë, duke ndaluar të riun të kryente aktin e vetëflijimit. Fqinjët treguan se çifti shkonte mirë, pavarësisht varfërisë së skajshme dhe vetëflijimi i 22-vjeçares i ka befasuar. Në pyetje u mor edhe vjehrra e të resë, e cila ka dëshmuar se në momentin që ndodhi ngjarja ndodhej në qytet për pazar. Përveç problemeve ekonomike apo vuajtjeve të mëparshme, nuk gjenden motive të tjera në këtë akt, referuar edhe letrës së shkurtër që viktima ka lënë. Fqinjët në fshatin Ravonik janë befasuar nga ngjarja e rëndë. Ata shkonin shumë mirë, grindje nuk kishin. Janë të varfër dhe i shoqi dilte për punë çdo ditë, shprehen fqinjët. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur shkaqet që e kanë shtyrë 22-vjeçaren ti japë fund jetës në mënyrë tragjike.