Rinisin kërkimet për Julian Çelën, familjarët të zhgënjyer: Shteti spo na ndihmon
Nga Arta AGOLLI
Që prej 30 nëntorit të dy viteve më parë familjarët e Julian Çelës, 11 vjeçarit të zhdukur në rrethana ende të paqarta, jetojnë me shpresën se djali i tyre do tu shfaqet sërish në derë. Zhdukja e mistershme e minorenit që është parë ditën në të cilën nuk u kthye më në shtëpi, pranë një qendre interneti, tashmë po shkon drejt një piste të re hetimi. Prokuroria e Përgjithshme është fokusuar në trafikimin e djaloshit të vogël, ndërsa është lënë në plan të dytë pista e vrasjes së tij nga i akuzuari i vetëm pedofili Ardian Prenjasi i arrestuar në Laprakë më 17 Mars, pas veprës penale se kishte dhunuar në shtëpinë e tij një tjetër fëmijë të vogël. Duke mos dashur të identifikohen familjarë të Julian Çelës kanë deklaruar për Tirana Observër se deri në këtë pikë që janë hetimet, ata janë të pashpresë dhe gjithashtu ndihen të zhgënjyer nga shteti dhe dhe nga drejtësia Shqiptare. Jemi thellësisht të prekur, shteti nuk po na ndihmon, ne duam vetëm rikthimin e djalit në shtëpi e do të jepnim gjithçka që kemi në jetë për këtë kanë deklaruar të afër të djaloshit të vogël i zhdukur në mënyre misterioze. Kjo ka qenë deklarata e vetme e bërë nga ta për gazetën pasi dhimbja e tyre nuk u lejon që ata të komunikojnë me median.
Rinisin kërkimet
Vrasja dhe trafikimi mbeten pistat kryesore të hetimit për gjetjen e 11-vjeçarit Julian Çela. Pas një periudhe të gjatë ndërprerje ditën e djeshme kanë rinisur sërish kërkimet në landfillin e Sharrës për gjetjen e trupit të djalit të zv. drejtorit të Antiterrorit në SHISH, Skënder Çela, i cili është deklaruar i humbur që prej 30 nëntorit 2012. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë, të cilat bëjnë me dije se aktualisht kërkimet vijojnë në parcelën 2. Për më shumë se 7 muaj, hetimet për zhdukjen e 11-vjeçarit Julian Çela nuk nxorën asgjë në dritë. Kërkimet nisën pas rrëfimit të Ardian Prenjasit në polici, i cili u kap më 17 mars të këtij viti, vetëm pas rrëmbimit të fëmijës së dytë, i cili banonte shumë pranë apartamentit ku jetonte 45-vjeçari. I njohur si Monstra i Laprakës, Ardian Prrenjasi, pas arrestimit ka dëshmuar në detaje mënyrën si e mashtroi dhe vrau Julian Çelën, 11-vjeçarin e zhdukur më 30 nëntor 2012 në Tiranë. Pasi pranoi krimin 45-vjeçari është shoqëruar me pranga në duar në banesën ku abuzonte me të miturit. Prrenjasi ka shpjeguar me hollësi mekanizmin e rrëmbimit dhe vrasjes së 11 vjeçarit. Ndërkohë pa gjetjen e trupit Prokuroria nuk ka ngritur akuzë për vrasje.