“Nuk të duam më!”- Aktori Çun Lajçi reagon për protestat e studentëve, mesazh Ramës: Shqipëria nuk vdes pa ty, o kryeministër! Se ndave dot Belindën prej vetes dhe Agasin prej Vlorës
Aktori i njohur shqiptar, Çun Lajçi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestat e studentëve dhe pedagogëve në Tiranë, si dhe ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog.

Në një mesazh të gjatë drejtuar kreut të qeverisë, Lajçi shprehet se studentët kërkojnë largimin e tij, ndërsa e cilëson ftesën për dialog pas 13 vitesh në pushtet si të vonuar. Aktori kritikon mënyrën se si Rama zgjodhi të zhvillonte takimin me karriget e kuqe, në vend që të përballej drejtpërdrejt me studentët dhe pedagogët protestues.
“Ti kërkon dialog mbas 13 vjetësh, e ata kërkojnë dorëheqjen tande! Të vonuem të dy palët”, shkruan Lajçi.
Duke përdorur metafora nga teatri, aktori e krahason mënyrën e veprimit të kryeministrit me një shfaqje, ndërsa ngre pikëpyetje për arsyet pse Rama nuk i priti studentët dhe pedagogët për të dëgjuar kërkesat e tyre.
Ai shprehet gjithashtu se pakënaqësia ndaj kryeministrit nuk lidhet domosdoshmërisht me urrejtjen, por me humbjen e mbështetjes dhe besimit.
“Ndoshta nuk të urrejmë aq sa mendon ti, kryeministër, por ja që nuk të duam ma! Sepse ti kurrë nuk e ndave shapin prej sheqerit, as Belindën prej vetes, as Agasin prej Vlorës, as narkodilerët prej pushtetit. Për këtë nuk të do rinia, zotni kryeministër!”, thekson aktori në reagimin e tij.
Në fund të mesazhit të tij, aktori thekson se Shqipëria mund të ecë përpara edhe pa Edi Ramën në krye të qeverisë.
“Nuk vdes Shqipnia pa ty, o Kryeministër, se ka djem e vasha që e duan atdheun ma shumë se veten”, përfundon Çun Lajçi.
Postimi i Çun Lajçit:
E sheh?
Nuk të urrejnë,mbase aq shumë, por ja që nuk të duan!
E kupton?
Duan me ikë prej teje e ti me ikë prej tyne!
Sa e thjeshtë; – s’e duron barra barrën ma!
As unë s’të “urrejë”, prandaj vazhdoj me shkrue, por ti s’më beson e unë s’kam si me të ndihmue, se ti flet me karrige!
Ti kërkon dialog mbas 13 vjetësh, e ata kërkojnë dorëheqjen tande!
Të vonuem të dy palët.
Duhej me i çelë sytë qysh atëherë, kur nisi hajnia e madhe e kur narkosët kërkuen pushtet!
Sot kërkove dialog me karriget e kuqe, me vetveten.
Ti kujtove se gjenerata e TikTok-ut s’din me i lidhë shtatë fjalë.
Ti kujtove se as unë, që kam folë me karriget e teatrit për 50 vjet, nuk ta kuptova lojën me karrige?
Cili teatër ishte ky?
Breht apo Stanislavski?
Bëre teatër me punonjësit e parqeve!
Bëre teatër me kioskën e djegun!
Bëre teatër me gurin, tue pi kafe në zyrën e vetmueme.
Dhe ja, sot more guximin me u shpërfushë para shkallëve të Kryeministrisë e me u folë karrigeve të kuqe, por jo pedagogëve e studentëve që ti thyen karriget dhe lojën tande të teatrit abstrakt!
Të munguen aktorët, kryeministër!
Ti s’ishe i zoti me i luejtë të gjitha rolet, me qenë regjisor e kameraman, e me duartrokitë edhe për vete!
Studentët erdhën paqësisht. Pse s’e more guximin me i pritë ulun, kur je aq i sigurt në votat që more e në ato që pretendon me i marrë vitin që vjen?!
I miri, i urti, i ndershmi, atdhedashësi, besniku ndaj Shqipnisë nuk ka frikë prej përballjes me popullin.
Pse s’i prite pedagogët?
Mos vallë edhe ata qenkan agjentë, si këta adoleshentët me maska që djegin plehrat e Tiranës?
Ndoshta nuk të urrejmë aq sa mendon ti, kryeministër, por ja që nuk të duam ma!
Sepse ti kurrë nuk e ndave shapin prej sheqerit, as Belindën prej vetes, as Agasin prej Vlorës, as narkodilerët prej pushtetit.
Për këtë nuk të do rinia, zotni kryeministër!
Për këtë nuk të duan as prindët e tyne.
Për këtë nuk të duam as ne, artistët, poetët e shkrimtarët, që, edhe kur heshtim nganjëherë, nuk do të thotë se të duam. Edhe në heshtje, nuk të duam!
Ia nise mirë me Evropën, por e prishe me përzimjen e gjakut me Vuçiqin e me bosat e drogës. E tash studentët, gjimnazistët e qytetarët që mezi i sigurojnë dy vakte në ditë, ta kërkojnë ikjen.
Ti mos u mërzit për Shqipninë!
Ka kush e çon përpara.
Edhe Marjana Koçeku mundet me e çue në Bashkimin Evropian. Edhe Marin Mema, edhe Elisa Spiropali … Egla Ceno, mundet, pse jo, artiste asht!
Nuk vdes Shqipnia pa ty o Kryeministër, se ka djem e vasha që e duan atdheun ma shumë se veten e që nuk i përziejnë rrajtë me bimët e këqia!
M’vjen keq KM, por nuk të duan ma!
Prishtinë 2026