E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk u përkasim kompanive që janë në prag falimentimi

02/09/2009  “Eagle Mobile” shprehet se është kompani e qëndrueshme në treg

Kompania ka vetëm 18 muaj në treg dhe jo tre vjet, siç deklarojnë tatimet

Kompania e telefonisë së lëvizshme “Eagle Mobile” ka hedhur poshtë dje zërat se është në listën e kompanive që dalin me humbje. Me anë të një njoftimi për shtyp “Eagle Mobile” ka sqaruar se nuk përfshihet në asnjë listë të tillë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, siç është përfolur ditët e fundit. “Eagle Mobile” dëshiron të sqarojë opinionin publik dhe autoritetet shtetërore lidhur me përfshirjen e emrit të kësaj kompanie të një listë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve si kompani me humbje gjatë 3 vjetve të fundit dhe në situatë falimentimi. “Eagle Mobile” sqaron se kjo kompani nuk i përket në asnjë mënyrë kësaj kategorie dhe se përfshirja në këtë listë është e gabuar. Duke pasur parasysh rëndësinë e saj n treg, pritshmërinë e qindra mijë abonentëve, “Eagle Mobile” sqaron: “Alik Holding e ka blerë ‘Albtelekomi’ më dt. 16.06.2007, kontratë e cila u ratifikua me ligjin nr. 9785 të datës 19.07.2007 (“Për ratifikimin e kontratës për blerjen e aksioneve të shoqërisë anonime ‘Albtelekom”). “Eagle Mobile” nuk kishte aktivitetet tregtar, megjithëse ishte themeluar që më dt. 24 tetor 2003 si një kompani shtetërore. Për këtë arsye në ligjin e privatizimit shteti ka garantuar se nuk do të ndërhyjë për prishjen apo çregjistrimin e shoqërisë, duke i dhënë asaj kohën e nevojshme të fillimit të aktivitetit, ashtu siç u është dhënë kohë edhe kompanive të tjera. Shteti shqiptar zotëron rreth 16 % të aksioneve të kapitalit të “Albtelekomit” dhe është indirekt aksioner i Eagle Mobile” thuhet në njoftim.

Koha në treg

Sipas të njëjtit njoftim, bëhet me dije se “Eagle Mobile” ka vetëm 18 muaj në treg dhe s’ka sesi të jetë pjesë e listës së kompanive që kanë 3 vjet që janë debitore ndaj shtetit. “Eagle Mobile’ ka vetëm 18 muaj në treg e jo 3 vjet dhe është një kompani në fazë investimi. Ajo hyri në treg më 12 mars 2008, që është edhe data e nisjes së aktivitetit tregtar. Aktualisht më shumë se 50 milionë euro janë investuar në infrastrukturën e kësaj kompanie anekënd vendit dhe investimi do të vazhdojë dhe kjo shifër do të rritet. ‘Eagle Mobile’ shënon sot 530 000 abonentë në shkallë republike. Aktualisht më se 260 punonjës direktë punojnë pranë shoqërisë, ndërsa më se 150 të tjerë punojnë për nënkontraktorët. Ndërkohë ‘Eagle Mobile’ ka çelur 48 dyqane në rang vendi dhe dhjetëra pika të tjera shitjeje”, - thuhet në njoftim

Të dhëna

“Eagle Mobile” ka mbuluar tashmë 90,7 % të territorit dhe 97 % të popullsisë së republikës, gjë e arritur në një kohë rekord.

Plani i investimit të kompanisë është i monitoruar nga qeveria shqiptare në përputhje me planin e biznesit të kontratës së shitjes së aksioneve.

“Eagle Mobile” ka ndikuar drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve të telefonisë celulare, thirrjeve zanore, SMS dhe internetit, gjë kjo e konfirmuar së fundi edhe nga raporti i AKEP-it.

“Eagle Mobile” ka sjellë teknologjinë më të fundit në fushën e telefonisë celulare. Në një kohë rekord u mbulua territori i vendit me sinjal. “Eagle Mobile” solli teknologjinë EDGE, me e shpejta dhe aktualisht më e përdorura në Perëndim. “Eagle Mobile” është gati për teknologjinë më të përparuar - 3G (Gjenerata e tretë).

“Eagle Mobile” nuk ka asnjë detyrim të papaguar ndaj autoriteteve shtetërore dhe ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj autoriteteve tatimore.

“Eagle Mobile” është ne gjendje të plotë paguese dhe do të vazhdojë të investojë. Arsyeja pse nuk ka ende fitim, është se në vitet e para të operimit të një kompanie të gjitha burimet fokusohen tek investimet dhe rritja.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›