E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e legjislaturës së re të Kuvendit, Presidenti dekreton 7 shtatorin

01/09/2009  Mbledhja do të drejtohet nga Kryeministri Berisha si deputeti më i vjetër

Seanca e parë ngarkon komisionin që të verifikojë mandatet e deputetëve

Kuvendi i ri i Shqipërisë do të mblidhet për të çelur Legjislaturën XVIII të hënën e parë të muajit shtator, më datën 7. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka firmosur dje dekretin për thirrjen e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë pikërisht në këtë datë. “Dekretoj: Mbledhja e parë e Legjislaturës XVIII të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë thirret ditën e hënë, datë 7 shtator 2009, ora 18:00”, - thuhet në dekretin e publikuar në faqen zyrtare të presidencës. Presidenti ka zgjedhur këtë datë mes afatit kushtetues nga data 2 shtator deri më 12 shtator. Në mbledhjen e parë, nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha si deputeti më i vjetër i Kuvendit, do të zgjidhet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Në mbledhjen e parë gjithashtu tre deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit. “Mbledhja e parë e legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Në rast mospranimi ose mungese mbledhja drejtohet nga deputeti që është pas tij më i vjetër në moshë”, - thuhet në nenin 1 të Rregullores së Kuvendit. Në seancën e parë, ku nuk lejohet të zhvillohen debate, ngrihet komisioni që do të verifikojë vlefshmërinë e mandateve të certifikuara nga KQZ-ja të 140 deputetëve. Në nenin 2 të Rregullores thuhet saktësisht se “me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre”. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë dhe pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Propozimet për përbërjen dhe kryesinë e komisionit bëhen nga përfaqësuesit e grupimeve politike dhe miratohen nga Kuvendi me votim të hapur, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij. Vlefshmëria e mandateve pas verifikimit do t’i paraqitet Kuvendit nga komisioni që verifikon mandatet e deputetëve në mbledhjen e dytë të Kuvendit. Në po këtë datë deputetët e rinj pas betimit para kolegëve të tyre dhe nën drejtimin e drejtuesit të përkohshëm të seancës do të zgjedhin me votim të fshehtë Kryetarin e Kuvendit mes kandidaturave që i propozohen Kuvendit nga grupe me jo më pak se 15 deputetë. Referuar numrit të përgjithshëm të deputetëve, Kuvendit mund t’i propozohen jo më shumë se 9 kandidatë. Kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Kushtetuesja vulos mandatet

Gjykata Kushtetuese do të jetë institucioni vendimmarrës për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve për të cilët komisioni për vlefshmërinë e mandatit vëren paligjshmëri në zgjedhje. Komisioni dërgon kërkesën në Kushtetuese të nënshkruar nga jo më pak se 1/5 e të gjithë deputetëve brenda 3 ditëve nga leximi i raportit. Nëse në përfundim të kësaj periudhe kërkesa nuk është nënshkruar dhe dërguar në Kushtetuese, deputeti ftohet të bëjë betimin.

14 shtator, krijohet qeveria

Startimi i Kuvendit i çel rrugën krijimit të qeverisë së re, që mendohet të marrë formë në seancën e 14 shtatorit. Kushtetuta e Shqipërisë përcakton se me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend Presidenti i Republikës emëron kryeministrin e vendit, kandidaturë që brenda 10 ditëve miratohet nga Kuvendi. Kryeministri paraqet për miratim në Kuvend programin politik të qeverisë dhe përbërjen e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›