E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri, rrezikohet pika doganore e Muriqanit

02/09/2009  Frikë nga shpërthimi i municioneve të mbetura

SHKODER- Zjarri i rënë dje në kodrat e Muriqanit ka rrezikuar pikën e re të përbashkët shqiptaro-malazeze të kalimit kufitar, e ndërtuar vetëm tre muaj më parë. Sipas burimeve policore, ka qenë ora 11:30 e paradites së djeshme kur forcat zjarrfikëse janë lajmëruar për rënien e zjarrit në kodrën afër pikës së kalimit kufitar Muriqan–Sukobinë. Ndërkohë për të ndaluar përparimin e zjarrit drejt kësaj pike kufitare i janë vënë punës efektivat e policisë kufitare, të cilët të ndihmuar nga banorët kanë përdorur mjetet rrethanore, si lopata e kazma. Puna e tyre për mbajtjen nën kontroll të flakëve ka zgjatur rreth 30 minuta, deri në mbërritjen e forcave zjarrfikëse. Më pas për rreth 45 minuta efektivat e PMNZH-së kanë ndërhyrë fuqishëm dhe kanë arritur të shuajnë zjarrin, që kishte përfshirë një sipërfaqe prej më se një hektarë me shkurre. Nga hetimet paraprake është konstatuar se vatra e zjarrit ka qenë një ish-pikë vrojtimi e kufirit e repartit ushtarak që kishte qenë instaluar aty në kohën e diktaturës, rreth 30 metra larg pikës së përbashkët shqiptaro-malazeze të kalimit kufitar Muriqan–Sukobinë. Impenjimi dhe kujdesi i forcave policore, por edhe atyre zjarrfikëse, ka qenë tepër i madh, pasi dyshohej se në zonën përreth pikës së vrojtimit mund të kishte mbetje të municioneve të vjetra të ish-repartit ushtarak të kufirit. Shpërthimi i ndonjë municioni mund të shkaktonte panik tek turistët e shumtë që po kalonin në atë kohë në pikën Muriqan–Sukobinë. Të njëjtat burime sqarojnë se deri tani dyshohet se rënia dhe përhapja e zjarrit ka qenë aksidentale. Një person, ende i paidentifikuar, i ka vënë zjarrin një grumbulli mbeturinash të hedhura pas ish-pikës së vrojtimit kufitar. Temperaturat e larta të ditës së djeshme, bari dhe shkurret e thata si dhe era kanë favorizuar së tepërmi përhapjen me shpejtësi të flakëve, të cilat kanë shkrumbuar të gjithë territorin me shkurre të ish-repartit ushtarak pranë doganës së Muriqanit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›