E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk u zgjidhet problemi i strehimit, romët ngrenë çadrat te Avokati i Popullit

Familjet rome që kanë mbetur pa strehë pas diegies së barakave te stacioni i trenit kanë ngritur sot çadrat para institucionit të Avokatit të Popullit.

Me dhjetëra romë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, janë mbledhur rreth orës 10:30 në oborrin e Avokatit të Popullit.

Ata janë shprehur se ky do të jetë vendstrehimi i tyre deri në zgjidhjen e problemit nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale.

Kemi fëmijë të vegjël, shumica janë sëmurë, nga i ftohti sepse ne jemi strehuar gjatë gjithë kësaj kohe ku të mundeshim. Na dogjën shtëpitë, gjetëm një strehim tjetër, aty na përzunë, pasi toka kishte pronar. Drejtoritë në Ministrinë e Punës na kanë mbyllur derën. Kërkojmë zgjidhje, shprehen ata.

* * *

Avokati i Popullit, Igli Totozani, u takua dy ditë më parë me komunitetin rom të cilët ndodheshin përkohësisht në zonën e Tufinës në kryeqytet. Duke inspektuar kushtet e vështira të romëve, u konstatua se ky komunitet ndodhet në kushte tepër të vështira në të ftohtë, në mungesë të ujit, ngrohjes dhe banesave.

Pas djegies së barakave të tyre në zonën e ish-trenit, dhjetëra familje rome jetojnë me çadra në Tufinë ndërsa dhe aty janë kërcënuar se do ti shpërngulin pronarët e tokës.

Totozani tha para medieve se çështja do të ndiqet me vëmendje ndërsa deklaroi publikisht se nëse  ky rast nuk gjen zgjidhje dhe këta njerëz nuk kanë ku strehohen, do u ofrohet hapësira e oborrit të institucionit që ai drejton: “Nëse kudo e bëjnë veshin shurdhët për ju, ejani në oborrin e Avokatit të Popullit për të ngritur çadrat, – u tha Totozani romëve.

Këto 5 familje të komunitetit rom kanë histori racizmi të përsëritur. Ky komunitet i vogël  jetonte pranë stacionit të trenit në Tiranë, nga ku janë dëbuar me dhunë gjatë muajit të fushatës elektorale per Bashkinë e Tiranës, dhe më pas barakave u është vënë flaka. Romët treguan se u dhunuan për katër netë me radhë nga civilë të armatosur. Ata thonë se kanë bërë denoncim, por policia nuk ka ndërhyrë. Madje, burimet policore gënjyen publikun kur thanë se “banorët kanë ikur vetë si pasojë e një konflikti”.

Atë natë ne ishim në gjumë, ata erdhën dhe u futën në barrakë. Unë u cova kur shoh tropojanë me hekura dhe me armë. Tropojani më gjuajti me shkelma, tregon një nga banoret e dhunuara. Deklaratat e tyre përputhen me ato të bëra nga një dëshmitar, i cili pohon djegien e barrakave të romëve.Unë kam dëgjuar që i kanë kërcënuar natën me automatik dhe i kanë dëbuar që këtej. Më pas barrakat ua kanë djegur, thotë ai. Romët më pas janë shpërndarë në periferitë e Tiranës dhe në periferi të qyteteve të tjera si në Elbasan. Një organizatë britanike që mbështeste integrimin e këtij komuniteti ka denoncuar zhdukjen e banorëve dhe është vënë në kërkim të tyre. Ata ndodhen aktualisht në Tufinë, ku dje kanë prezantuar të njëjtin shqetësim: Janë kërcënuar se nëse nuk largohen brenda datës 1 shkurt, do dëbohen me dhunë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›