Numëruesit: Nën presion për mbrojtjen e votës
KZAZ 18
FIER - Pas debatit të gjatë që vijoi me largimin e kutive të votimit nga KZAZ nr.18, shumë prej vëzhguesve dhe numëruesve të kësaj qendre u shprehën se u ndjenë të lehtësuar. Duke kujtuar ditët e numërimit të votave, Natasha Bitri, Ilir Alushi, Agim Celibashi, vëzhgues dhe numërues të kësaj zone u shprehën se gjatë gjithë kohës kanë qenë nën presion jo vetëm nga numëruesit e djathtë, por edhe nga ata që vëzhgonin numërimin. Sipas tyre, presioni nisi që me fillimin e numërimit mëngjesin e së hënës së 29 qershorit, në orën 02:30. "U numëruan shtatë kutitë e para dhe në vazhdim, kur u pa se Partia Socialiste kishte numër më të madh votash, nisën edhe acarimet e kolegëve tanë të djathtë.
Çdo gjë për t'i shpallur votat të pavlefshme, edhe nëse shenja ishte brenda kutisë, por ishte shtrembër, quhej me probleme", thonë numëruesit. Ata vijojnë duke u shprehur se edhe kalimi i fletës para kamerës ka qenë një problem më vete, pasi herë pas here u kërkohej që fleta të mbahej për një kohë të gjatë, duke vonuar kështu procesin. Por, ajo çka ishte edhe më tepër e lodhshme, ishte momenti kur rezultatet po thelloheshin. Sipas Agim Celibashit, numërues i PS-së, kulmi arriti kur numëruesit e djathtë nuk ishin dakord me kutitë 3006, 3027 dhe 3017, të cilat u dërguan në KQZ, në kryeqytet. "Kishte probleme shumë të vogla, të cilat ne nuk i konsideruam të tilla në momentin që vota ishte për PD-në, por në momentin që tek ajo fletë shënohej PS, gjëra si: grisje e fletëvotimeve nga blloku jo në mënyrë të drejtë, mungesa e një flete votimi që u gjet sërish në kutinë tjetër të procesverbaleve, filluan të bëheshin thelbësore, duke kërkuar shpalljen e tyre të pavlefshme",- thotë Celibashi.
Sipas tij, kjo ishte thjesht një metodë për shkak se në të tria kutitë PS-ja dilte e fituar me rreth 400 vota më tepër sesa PD-ja. Në përfundim të numërimit të votave, sipas procesverbalit, duke përjashtuar numrin e kutive që do të numërohen në Tiranë, për PS-në kishin votuar 15 785 persona, ndërsa për PD-në kishin votuar 8160, me një diference prej 7625 votash. E treta në numër vinte PDI-ja, e cila kishte marrë 1653 vota, ndërsa LSI-ja kishte 1276 vota.