E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen automjetet, pesë të plagosur

Mirditë/ Një shtetas nga Gjirokastra dhe katër nga Kosova kanë mbetur viktima të një aksidenti në Kroin e Shnapremtes


RRËSHEN - Katër shtetas kosovarë dhe një shqiptar janë plagosur pas një aksidenti të ndodhur në aksin rrugor Rrëshen-Rubik, ndërsa automjetet në të cilat ata udhëtonin janë përplasur me njëra-tjetrën. Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur Kroi i Shnapremtes përgjatë aksit të vjetër rrugor Rrëshen-Rubik, kur një autoveturë tip "Ford" me targa të Kosovës, në të cilën udhëtonin katër shtetas, është përplasur kokë më kokë me një automjet tjetër me targa MR 2271 A, i drejtuar nga shtetasi Aurel Kalaj me banim në Gjirokastër.


Nuk bëhen të qarta shkaqet e këtij aksidenti, por sipas policisë ka pasur një shpërqendrim vëmendjeje të drejtuesve të automjeteve në momentin e përplasjes. Kjo lidhet dhe me faktin se në këtë aks rrugor ka një qarkullim të dendur të mjeteve që pas hapjes së dy korsive të para të autostradës për Morinë, dhe ku tashmë rruga përgjysmohet nga ajo e vjetra. Ndërkohë që ky aks rrugor prej 7 km është i vetmi që nga Rubiku ende i papërfunduar dhe ku rrezikshmëria e aksidenteve mbetet e lartë. Të aksidentuarit u transportuan me autoambulanca për në spitalin e Rrëshenit ku dhe është dhënë ndihma mjekësore.


Ata rezultojnë me dëmtime në trup dhe fraktura të ndryshe, por jashtë rrezikut për jetën. Të plagosurit janë Aureal Kalaj, Abaz Shapa, Nesar Beuli, Qerim Muriqi, Hysni Ibrahimi. Policia ka filluar hetimin mbi pistat e mundshme të këtij aksidenti.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›