E Diel, 1 Nëntor 2026

Nvidia partnere e Shqipërisë për zhvillimin e “Diellës” në fushën e Inteligjencës Artificiale

TIRANË, 17 shkurt /ATSH-Maela Marini/ – Kompania lidere në botë për Inteligjencën Artificiale, Nvidia, do të bëhet partnere e Shqipërisë për zhvillimin e projektit “Diella” në fushën e IA.

Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të drejtorit të ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Igli Tafa.

Kryeministri kujtoi se vite më parë AKSHI kishte një emër pak të njohur dhe një numër të kufizuar shërbimesh, ndërsa sot platforma e-Albania ofron mbi 1000 shërbime publike online për qytetarët brenda dhe jashtë vendit.

“Është një fatkeqësi shumë e madhe që emri i AKSHI-së të njolloset. Por kjo nuk do të thotë që një veprimtari e caktuar lidhur me AKSHI-në është e pahetueshme”, u shpreh Rama, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe përballjes me drejtësinë.

Sipas tij, suksesi i arritur në transformimin digjital ka krijuar kushtet që Shqipëria sot të flasë për modele konkrete në inteligjencën artificiale.

“Dje kemi qenë në një Zoom me ‘Nvidia’, e cila është e gatshme të bëhet partnere e Shqipërisë për Diellën. Është e paimagjinueshme”, tha Rama, duke shtuar se së shpejti një ekip i kompanisë do të vijë në Tiranë për të nisur punën në fazën e re të zhvillimit të projektit.

Kryeministri theksoi se AKSHI përballet me një sërë sfidash të reja, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale në prokurimet publike, me synimin për të transformuar qasjen e administratës shtetërore dhe për të rritur efikasitetin dhe transparencën.

Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Microsoft, duke e cilësuar aleancën si të jashtëzakonshme dhe duke theksuar konsideratat pozitive që drejtues të lartë të kompanisë kanë shprehur për Shqipërinë digjitale dhe për AKSHI-në.

“Duam ta bëjmë inteligjencën artificiale një forcë të re të këtij vendi”, deklaroi Rama, duke shtuar se paralelisht me këtë ambicie, institucionet duhet të përballen me çdo çështje që prek reputacionin dhe besimin publik.

Në përfundim, ai iu drejtua ekipit të AKSHI-së me mesazhin për të mos u ligështuar përballë sfidave, duke theksuar se transformimi digjital i vendit është një arritje që duhet mbrojtur dhe çuar më tej.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›