Osmani: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, Kosova sot më e fortë se kurrë dhe gati për NATO

PRISHTINË, 17 shkurt /ATSh/Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë nisur paradën në Prishtinë pas përfundimit të fjalës së presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi sot se askush nuk mund ta njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si luftë të drejtë, çlirimtare dhe të udhëhequr nga e drejta për liri dhe shtet.
Në fjalën e mbajtur para nisjes së parakalimit të trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, Osmani u shpreh se pa kontributin e jashtëzakonshëm të UÇK-së, pavarësia e Kosovës nuk do të ishte realitet.
Ajo tha se Kosova sot është më e fortë se kurrë, më e përgatitur dhe më e vendosur për të ecur përpara pavarësisht sfidave, duke shtuar se vendi po ndërton kapacitetet mbrojtëse me përgjegjësi dhe vizion.
“Sot në këtë hapësirë ku lindja e shtetit, sakrifica e të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe plagët e luftës qëndrojnë bashkë në një vend, kujtojmë përpjekjen e brezave që u vulos pikërisht në shkurtin e vitit 2008”, tha ajo.
Presidentja dha gjithashtu mbështetje të fuqishme për marshin për drejtësi që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, duke theksuar se qytetarët kërkojnë vetëm drejtësi dhe se mbrojtja e luftës çlirimtare është mbrojtje e vetë shtetit të Kosovës.
Osmani kujtoi gjithashtu sakrificën e luftëtarëve dhe viktimave të luftës, përfshirë rreth 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës së viteve 1998-1999 nga regjimi i Serbisë, duke theksuar se drejtësia për mijëra të vrarë, përfshirë fëmijë, mbetet obligim i përhershëm.
“Para 18 viteve Kosova u shpall shtet, por shumë para kësaj dite Kosova kishte fituar lirinë. Sot para jush qëndron një Republikë 18 vjeçare, e lindur nga sakrifica, e ushqyer nga qëndresa dhe e forcuar nga shpirti i popullit të saj, nga secili prej jush. Kosova është republikë e pavarur dhe sovrane, e guximshme e fortë, krenare dhe me miq të shumtë…Askush nuk mund të njollosë luftën e UÇK-së, ajo ishte luftë e drejtë, çlirimtare, mbrojtje e udhëhequr nga e drejta për liri dhe shtet”, deklaroi ajo.
Sipas saj, pa këtë kontribut të jashtëzakonshëm të UÇK-së, pavarësia e Kosovës nuk do të ishte realiteti që festojmë sot.
“Një histori e shkruar me gjak, nuk mund të fshihet e as nuk mund të shtrembërohet nga askush. Pas pak në sheshin “Skënderbeu”, qytetarët tanë do të fillojnë marshin për drejtësi. Si presidente e Republikës së Kosovës i jap mbështetje të fuqishme këtij marshi, sepse qytetarët tanë nuk kërkojnë asgjë tjetër, pos drejtësisë. Sepse qytetarët tanë e dinë mirë se mbrojtja e luftës sonë çlirimtare është mbrojtje e shtetit të Kosovës”, vijoi Osmani.
Kryetarja e Shtetit u shpreh se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës po dëshmojnë çdo ditë profesionalizëm, duke treguar se Kosova është gati për anëtarësim në NATO.
Presidentja theksoi se “sot Kosova po ndërton kapacitet e saj të mbrojtjes me përgjegjësi dhe vizion, sot trashëgimtarët e UÇK-së, forca jonë e sigurisë dhe Policia e Kosovës po na bëjnë çdo ditë krenarë. Ata e dëshmojnë se Kosova është gati për NATO. Sot Kosova është më e fortë se kurrë, më e përgatitur se kurrë më parë, më e vendosur se çdoherë për të ecur përpara pavarësisht sfidave”.
1 nga 4/KosovaPress/