Nxehet edhe më shumë dueli për Tevez mes Juves dhe Milan
Tevez: E ardhmja ime? Ende nuk e di
Dueli mes Milan dhe Juventus për sulmuesin Tevez sa vjen e bëhet më interesant. Galiani dhe Marota janë vënë në një rivalitet të madh mes tyre, për të arritur objektivin madhor të këtij sezoni, gjetjen e një sulmuesi. Për të dy drejtuesit, arritja e një marrëveshje me argjentinasin do të ishte një triumf në këtë merkato sa të vështirë aq edhe të kushtueshme.
Java vendimtare
Sipas Sport Mediaset, kjo javë pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit të Sitit, i cili është në dilemë mes bardhezinjve dhe kuqezinjve. Në orët e fundit, Milan duket më i favorizuar për të marrë shërbimet e yllit argjentinas, por si gjithmonë Marota e ka të vështirë të dorëzohet para kohe. Ndaj duhet pritur deri në minutën e fundit për të mësuar se kush do të jetë triumfuesi në duelin e nisur mes dy administratorëve Marota dhe Galiani. Nga njëra anë kuqezinjtë për të siguruar kartonin e Tevez duhet të sakrifikojnë ndonjë lojtar dhe kryesori duket se është braziliani Robinjo. Ndërsa nga ana tjetër edhe Juventusit i duhet të bëjë të njëjtën gjë.
Tevez
Ndërkohë vetë protagonisti kryesor, Karlitos Tevez, ka deklaruar dje se ai ende nuk di gjë për të ardhmen e tij. Ai ka theksuar se është me pushime në Argjentinë dhe se nuk i kanë thënë asgjë. Ai më tej ka deklaruar se ëndrra e tij është të rikthehet tek Boca Juniors, por jo këtë vit.
Marota: Juvja nuk do ta shesë Markision
Administratori i Juventusit, Bepe Marota u ka dhënë fund njëherë e mirë zërave për shitjen e Klaudio Markisios. Juvja nuk ka menduar kurrë të shesë Markision. As tani as kurrë. Kështu Marota i intervistuar nga ‘Calciomercato.com’, sqaron të ardhmen e simbolit bardhezi. Klubi i zgjati kontratën lojtarit në shtator të 2012 duke e ccuar deri në 30 gusht 2017 dhe duke i rritur dhe rrogën, kjo tregon se sa i rëndësishëm është Markisio për Juven. Do ta rihapim këtë debat vetëm nëse do të vinte ndonjë ofertë stratosferike dhe jashtë merkatoje. Por kjo gjë deri në këtë moment nuk është verifikuar, ka përfunduar Marota. Në këtë mënyrë edhe tifozët bardhezinj janë qetësuar, pasi Markisio nuk është vetëm beniamin i tyre, por edhe kapiteni i ardhshëm i Juventusit.