Nxehet gara për ‘Topin e Artë’

Barcelona – Real Madrid 2-1. Nuk është rezultati i ‘El Clasicos’ së parë sezonale në program të luhet këtë të shtunë, por rezultati i tre finalistëve kandidatë për ta fituar çmimin ‘Topi i Artë’ për vitin 2011.
Për këtë trofe prestigjioz individual do të luftojnë Lionel Messi (24) e Xavi Hernandez (31) nga Barcelona dhe Cristiano Ronaldo (26) nga Real Madridi. Më i miri nga këta do të zgjidhet më 9 janar në Zurich të Zvicrës, në gala mbrëmjen që do ta organizojë Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) dhe revista e njohur franceze ‘France Football’.
Ky shpërblim do të ndahet në bazë të votave të kapitenëve dhe selektorëve nga 208 kombëtare, pjesë të FIFA-s, plus atyre të gazetarëve nga mediumet e ndryshme të njohura botërore.
Tre të lartpërmendurit kanë qenë më të votuarit nga lista prej 23 futbollistëve, që ishin zgjedhur nga FIFA javë më parë. Ndërsa të hënën, Qeveria e futbollit botëror i ka publikuar emrat e tre të parëve, por pa e deklaruar fituesin.
Sulmuesi argjentinas Messi, mbret i dy edicioneve të fundit, dhe mesfushori spanjoll Xavi Hernandez ishin zgjedhur ndër tre të parët edhe vitin e kaluar, së bashku me shokun e tyre të skuadrës, Andres Iniesta.
Ndërsa mesfushori portugez Ronaldo u fut në këtë listë falë paraqitjeve të jashtëzakonshme me Realin në sezonin e fundit. Ai ishte fitues i trofeut më të rëndësishëm individual në vitin 2008.
Edhe pse është herët të flitet, por njohësit e futbollit deklarojnë vazhdimisht se Lionel Messi mund ta fitojë këtë trofe, për herë të tretë rresht, duke e barazuar rekordin e Michel Platinit.
Trajneri më i mirë: Mourinho, Ferguson apo Guardiola?
Alex Ferguson, Josep Guardiola e Jose Mourinho janë tre kandidatët për ta fituar titullin ‘Trajneri i vitit’. Lajmin e ka bërë të ditur të hënën Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA).
Ky çmim do të ndahet në gala mbrëmjen e 9 janarit të vitit që vjen në Zurich të Zvicrës, kur do të jepet edhe çmimi ‘Topi i Artë’. Trajneri i Barcelonës, Guardiola, është favorit për ta fituar këtë trofe, pasi që sezonin që shkoi u shpall kampion i Evropës dhe e fitoi La Ligan me klubin katalunas. Menaxheri i Manchester Unitedit e fitoi titullin e kampionit në Angli, kurse Jose Mourinho me Real Madridin e fitoi vetëm Kupën e Spanjës.
FIFA ndërkohë ka njoftuar se titulli i futbollistes më të mirë këtë vit do t’i ndahet njërës nga konkurrentet: Bruno Bini, Norio Sasaki e Pia Sundhage. Ndërkohë, në natën gala do të ndahet edhe çmimi ‘Puskas’, për golin më të bukur të vitit 2011. Në këtë kategori luftojnë: Lionel Messi, Neymar e Wayne Rooney.