“Nxehet” sulmi, Bogu e Salihi në radhë për golShqipëria vjen në ndeshjen kundër Danimarkës pas tri humbjeve rresht. Bogdani është golashënuesi më i mirë i eliminatoreve të Botërorit

Publikoje ne:
Shqipëria vjen në ndeshjen kundër Danimarkës në “Qemal Stafa” pas tri humbjeve rresht: me Hungarinë në Tiranë (0-1), Danimarkën në Kopenhagen (3-0) dhe Portugalinë po në Tiranë (2-1). Pikërisht, ndaj danezëve, ku në shtatë përballjet e mëparshme kemi mundur të fitojmë vetëm një herë, 1-0 në vitin e largët 1964 (gol i Panajot Panos), të gjithë besojmë se do të arrijmë fitoren e dytë në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010, pas asaj ndaj modestëve të Maltës (3-0), saktësisht një vit më parë, më 10 shtator 2008. Dy sulmuesit kryesorë të përfaqësueses sonë, Erjon Bogdani e Hamdi Salihi u shprehën entuziastë gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp, se ata do të japin gjithçka për një rezultat pozitiv ndaj kryesuesve të grupit tonë, duke menduar edhe fitoren ndaj skuadrës që na ka shënuar, gati gjysmën e golave të pësuar në këto eliminatore.
BOGDANI
Erjon Bogdani ka shënuar nga një gol në dy ndeshjet e fundit ku ai është aktivizuar, me Portugalinë (zyrtare) dhe Qipron (miqësore). Bogdani, me 2 gola të realizuar në këto eliminatore (Maltë e Portugali), është edhe golashënuesi më i Shqipërisë, i ndjekur nga Klodian Duro e Armend Dallku, të këta me nga një gol, të realizuar pikërisht kundër në fitoren kundër Maltës. “E rëndësishme është qe të lozim si ekip mirë dhe shpresoj që edhe në qofte se e bën ndonjë tjetër golin dhe fitojmë, kjo gjë më gëzon mua dhe të gjithë shqiptarët”, - u shpreh Erjon Bogdani, lojtari i dytë shqiptar që ka mundur të shënojë në portën e danezëve, pikërisht në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2006, kur Shqipëria humbi 3-1 në Kopenhagen (8 qershor 2005). “Do të ishte diçka e bukur nëse unë do të shënoja përsëri edhe në këtë ndeshje. Megjithatë më shumë rëndësi ka të luajmë një futboll të bukur përpara tifozëve tanë. Jemi të qetë përpara kësaj sfide”, - tha 32-vjeçari, i cili në 51 ndeshje ka realizuar 11 gola me fanellën kuqezi, por që nuk luajti në ndeshjen e parë të humbur 3-0 me Danimarkën (1 prill 2009) në këto eliminatore. “Është një ndeshje e vështirë me Danimarkën. Është një ekip shumë i fortë dhe është në krye të grupit. Megjithatë ne para publikut tonë lozim shumë mirë”, - tha Bogdani, i cili shpreson se do të luajë para një “Qemal Stafa” tërësisht të shitur, nisur edhe nga përformanca e fundit e Kombëtares në impiantin ndërkombëtar me atë fitore historike 6-1 kundër Qipros.
SALIHI
Si Erjon Bogdani, ashtu edhe partneri i tij në sulm, Hamdi Salihi, janë aktivizuar në pesë ndeshje gjatë këtyre eliminatoreve, por me ndryshimin se Bogu ka në këmbë, fiks 100 minuta më shumë se sulmuesi i ri Rapidit të Vjenës: 352 minuta Bogdani, 252 minuta Salihi. “Normalisht vlera dhe vështirësia e takimit dihet, pasi luajmë me kryesuesen e grupit dhe për ne duhet të tregojmë vazhdimësi. Është shumë e rëndësishme për ne pasi një rezultat i mirë dhe vazhdimësi e ndeshjeve të mira na krijon besim për startin e eliminatoreve të tjera”,- tha Hamdi Salihi, i cili në limitin e merkatos verore kaloi nga Riedi te Rapidi i Vjenës në kampionatin austriak. “Po përgatitemi realisht për të bërë një lojë sulmuese, por nuk është aspak e saktë se kush nga ne do të luajë, për vetë faktin se të gjithë sulmuesit janë në forme të mirë dhe shanset janë të barabarta për të gjithë”, - tha Salihi. Trajneri i Kombëtares, Kuzhe, ka thirrur për ndeshjen kundër Danimarkës, katër sulmues, ku përveç Bodganit e Salihit, janë në dispozicion të teknikut dhe Edmond Kapllani e Besart Berisha.
E Shtune, 05 Shtator 2009