E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënësit ardhacak “pushtojnë” shkollat në kryeqytet

Numri i nxënësve nga komunat fqinje që ndjekin mësimet në shkollat e mesme të kryeqytetit sillet ndërmjet 20-50 për qind. Një shifër të tillë e kanë pranuar vetë autoritetet komunale, ndërkohë që këtë problem e ka ngritur në Kuvendin Komunal opozita.

Shemsi Veseli, shef i Grupit parlamentar të PDK-së në Komunën e Prishtinës, ka thënë se në nivelin lokal nuk duhet në asnjë mënyrë të lë pa regjistruar nxënës të Komunës së Prishtinës, për të pranuar ata nga komuna të tjera.
”Nuk është e qëndrueshme dhe e mirë të zihen vendet nga nxënës të komunave të tjera”, ka thënë ai, duke theksuar se një gjë e tillë do të lejohej vetëm në raste kur një komunë nuk e ka atë shkollë në të cilën një nxënës do të regjistrohet.

Sipas tij, arsyeja pse ka ardhur deri te kjo çështje është se shkollat e mesme të Prishtinës e kanë primatin si shkolla më të forta e cilësore, prandaj edhe nxënësit kanë dëshirë që më shumë të regjistrohen në to, raporton koha.
Edhe Sadri Ramabaja, deputet i lëvizjes “Vetëvendosje” në Komunën e Prishtinës, ka thënë se cilësia e arsimit parauniversitar për fat të keq po vazhdon të jetë në pikën kritike.

”E vetëkuptueshme, në këto rrethana kur MASHT-i pothuajse i është dorëzuar stuhisë dhe rrëzbimit, prindërit iluministë, sidomos ata të zonave rurale të komunave të tjera, po bëjnë çmos që t` u sigurojnë fëmijëve arsim sa më cilësor të mundshëm. Kjo është arsyeja përse ka një fluks në rritje të fëmijëve të këtyre zonave që në shtator ua mësyjnë shkollave të mesme të Prishtinës”, ka thënë Ramabaja.

Ndërkaq Osman Bllaca, nga OJQ “INPO”, e cila monitoron punën e Komunës së Prishtinës, ka thënë se arsyeja e shtimit të numrit të nxënësve nga komunat e tjera që vijojnë mësimet në shkollat e Prishtinës është se ata vlerësojnë shkollat e kryeqytetit me cilësi të mësimit më të lartë.

”Në shkollat e mesme të Prishtinës regjistrohen shumë nxënës nga vendet përreth Prishtinës, si për shembull nga Fushë-Kosova, Lipjani, Vushtrria, Obiliqi, Novobërda, si dhe nga komunat e tjera, dhe e tërë kjo ndodh për shkak se është përhapur se në shkollat e Prishtinës është cilësia e mësimit më e lartë sesa në komunat nga vijnë këta nxënës”, ka thënë ai, duke theksuar se këto janë parregullsi që ndodhin për shkak të lidhjeve të ndryshme.

Në këtë kontekst Asdren Osaj, zëdhënës në Komunën e Prishtinës, ka pranuar se Komuna është në dijeni për nxënësit që vijnë nga komunat e tjera në shkollat e kryeqytetit, porse kjo gjë lejohet me ligj.

”Nuk ka asnjë bazë ligjore të nxjerrë nga niveli qendror (Ministria e Arsimit) rregull që ndalon regjistrimin e fëmijëve të një komune në komunën tjetër, prandaj çfarëdo veprimi që do të bëhej do të paraqiste shkelje të të drejtave të njeriut dhe të drejtës për shkollim për gjithsecilin”, ka thënë ai, duke bërë të ditur se numri i nxënëseve që janë të komunave fqinje, por që shkollimin e ndjekin në Prishtinë sillet prej 20 për qind deri në 50 për qind./Indeksonline/

 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›