E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama: Duhet të ndryshojmë, rihapen shkollat në SHBA

Me masa edhe më të shtuara sigurie e me një prezencë të qënësishme psikologësh e psikiatrish rihapen shkollat amerikane, por jo "Sandy Hook" në Newtown. Të mbijetuarit e tragjedisë do të shpërndahen për të vazhduar në një kohë të dytë mësimin në shkollat aty pranë. Viktimat po përcillen për në banesën e fundit, komuniteti mbetet i shokuar e në Amerikën e Veriut është rindezur më shumë se kurrë më parë debati i armëve.

"A kemi bërë mjaft për të mbrojtur fëmijët tanë? Sinqerisht, përgjigja ime është jo. Ne duhet të ndryshojmë. Është hera e katërt, që si president, bashkohen në pikëllim të komunitetit të prekur nga një fatkeqësi. Dhe në mes, ka të shtëna të vazhdueshme nga një skaj i Amerikës tek tjetri, viktimat në lajmet pothuajse të përditshme, janë shpesh fëmijët. Nuk mund të tolerojmë. Që problematika është komplekse është e vërtetë, por kjo nuk mund të jetë një justifikim për mosveprim, kemi detyrimin ta provojmë"- tha Obama, transmeton albanianscreen.

Ka qenë ky mesazhi i drejtpërdrejtë i lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, pasi presidenti Barack Obama vizitoi dje Newtown, e u shtrëngoi dorën të afërmve të viktimave, mësuesve e të mbijetuarve.

I prekur ndërsa lexoi emrat e të 20 fëmijëve apo kur përshkroi herozimin e mësuesve qe tentuan më kot t'i mbronin, presidenti premtoi ndryshim me keqardhjen edhe sepse në katër vitet e shkuara në Shtëpinë e Bardhë iniciativa për kontrollin e armëve ka munguar, ndonëse një kufizim i armëmbajtjes ishte premtuar dhe gjatë fushatës së 2008.

As kësaj here Obama nuk përmendi masa të veçanta, por rruga për ndryshim është përvijuar. Senatorja demokrate Dianne Feinstein njoftoi se do të propozojë një projekt- ligj të rivendoste ndalimin e armëve automatike dhe ato me kalibër të madh menjëherë pas Vitit të Ri, në ditën e parë të punës së Kongresit të ri. Demokratët janë shprehur paraprakisht në favor.

Nëse miratohet, kjo masë nuk do të jetë prapavepruese. Një masë e ngjashme ishte prezantuar dhe gjatë presidencës Clinton në '94, por në fund kishte ishte zhdukur nga axhenda nën kundërshtimin e republikanëve. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›